Gjatë muajve të fundit, kanë filluar të shtohen përplasjet publike mes zyrtarëve të ndryshëm të partive në pushtet, e sidomos janë deklarimet e shpeshta në PDK kundër mënyrës se si po qeveriset Kosova nga kjo Qeveri e kryesuar nga Isa Mustafa.
Individë brenda koalicionit qeverisës, por edhe analistët politikë po e shohin këtë acarim të situatës si një skenar të PDK-së për rënien e Qeverisë, pikërisht duke shprehur pakënaqësi përmes njerëzve të saj në sektorë të ndryshëm.
Ky skenar, sipas tyre, po bëhet me qëllim të realizimit të planit strategjik nga ky subjekt, që i konvenon që më shpejt të shkojnë ne zgjedhje, pa e lënë LDKnë e lodhur nga pakënaqësitë e brendshme që janë akumuluar, që ta marrë veten dhe të forcojë pushtetin.
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, sado që e ka cilësuar të brishtë funksionimin e deritanishëm të këtij koalicioni, nuk pret që vetë rrëzimi i tij mund të ndodhë me aq shpejtësi, pavarësisht që pakënaqësitë janë evidente me mënyrën e qeverisjes nga të dyja palët.
“Tash për tash, me gjithë krizat që kemi kaluar, nuk vërehet ndonjë bllokadë që do të na dërgonte në zgjedhje të jashtëzakonshme. Qeveria, pavarësisht vështirësive dhe problemeve, ka arritur të funksionojë. Mund të thuhet se ministritë që ka PDK-ja janë më performancë të dobët, por kjo ka qenë gjithmonë kështu. Sido që të jetë, interesi i LDK-së nuk është që të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Koalicioni PDK-AAK-Nisma i natyrshëm
Sipas Salihajt, kjo verë, po edhe vjeshta mund të jetë e nxehtë, për shkak të arrestimeve të shumta që do t’i bëjë Gjykata Speciale, kështu që sivjet na duhet një stabilitet politik.
“Deri në vitin e ardhshëm do të qartësohen shumë gjëra dhe pastaj mund të shohim se kur është koha e duhur për zgjedhje të reja”, ka pohuar deputeti Salihaj.
Pavarësisht që në PDK disa individë shpesh kanë përmendur prishjen e koalicionit dhe shkuarjen në zgjedhje, dhe rikompozimin e një koalicioni me AAK-në dhe NISMA, Salihaj thotë se është pak e besueshme që ata zëra të përfillen dhe shkurorëzimi të ndodhë si një zhvillim i papritur, për interesin e PDK-së, sado që lidhja PDK-AAK-NISMA nuk përjashtohet si plan i së ardhmes.
“Zgjedhjet deri më tash kanë qenë nivel spekulimesh. Opozita kështu siç doli e përçarë nuk ka çka kërkon në zgjedhje. Sa u përket zërave në PDK për shkuarjen në zgjedhje, ata janë zëra individësh dhe nuk e di sa mund t’i marrim si serioze. Sa i përket mundësisë së një koalicioni mes PDK, AAK dhe Nismës do të ishte një koalicion plotësisht i natyrshëm. Këto tri parti kanë shumë gjëra të përbashkëta. Por, në fund çdo gjë e ka çmimin e vet. Ta shohim kur të vijë puna të ndarja e posteve se si do të kalojnë partitë mes vete. Çdo gjë shkon mirë deri aty”, theksoi ai.
PDK-ja po pret kryerjen e disa obligimeve
Edhe analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se sado që duket dhe dëgjohen disa zëra kritikë në PDK, karshi mënyrës se si punon Qeveria e kryesuar nga Isa Mustafa, një veprim i shpejtë i ndryshimit me mundësi të shkuarjes në zgjedhje të reja nuk shihet si disponim i shumicës, pavarësisht që PDK-ja ka plane për ta nxjerrë në opozitë partnerin qeverisës LDK-në.
“PDK-ja është shume pasive në qeverisje, e pa vullnet, por edhe plotësisht e painiciativë, dhe tash ende nuk po dihet se çka po e pret këtë koalicion jo shumë funksional. E kam përshtypjen se PDK-ja vetëm po pret të kryhen do detyra ndërkombëtare dhe të shkojnë në zgjedhje. Tani po shihet qartë se janë disa nga detyrat që duhet të kryhen si në vijim: Demarkacioni, Asociacioni dhe FAK-u”, ka thënë ai.
“Konsideroj dhe besoj që është një pritje shumë reale, se pa u zgjidhur këto tema nuk ka zgjedhje. Madje element tjetër i vazhdimit edhe për disa muaj të këtij koalicioni mund të jetë fakti se ky koalicion ka arritur të akomodojë shumë njerëz të rëndësishëm të këtyre partive nëpër borde të ndërmarrjeve publike, nëpër shumë institucione, që sipas ligjeve dhe Kushtetutës, duhet të jenë të pavarura”, tha Burjani .
Loja në prapaskenë e Veselit
Jo shumë funksional dhe me jetëgjatësi të shkurtër e sheh koalicionin e tanishëm me përplasjet e shpeshta brenda dhe jashtë Parlamentit edhe prof. Muhamet Kelmendi.
Ai thotë se ndikim në prishjen e shpejtë të koalicionit do të ketë vetë kreu i PDK-së, Kadri Veseli.
“Natyrisht se me ardhjen e Kadri Veselit në krye të PDK-së është pritur ky fërkim politik e karrierist midis LDK-së dhe PDK-së”, është shprehur ai.
“Kadri Veseli nuk ka interes ta vazhdojë koalicionin e tillë të ndërtuar nga Thaçi- Mustafa, por nuk ka as interes që të paraqitet vetë si shkaktar i ndërprerjes së koalicionit ndërpartiak. Prandaj në këtë lojë i kemi edhe këto akuzat e herë- pashershme, duke pretenduar që konfliktet të thellohen dhe të përgatitet gradualisht terreni për zgjedhjet e jashtëzakonshme në fund të këtij viti, apo në vitin e ardhshëm, më së voni deri në zgjedhjet e reja lokale”, tha Kelmendi, shkruan “Kosova Sot”.