Telegrafi

Salihaj: Elektorati na ka votuar ta largojmë PDK-në nga pushteti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adem Salihaj, në emisionin “Info- Box”të RTV Dukagjini, ka theksuar se Hashim Thaçi është njeriu që më së paku e përfaqëson unitetin e popullit.

Salihaj ka sqaruar se kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar nga ai që ta votojë kandidaturën e Thaçit për president, për arsye se sipas tij, kështu do të respektohej marrëveshja e koalicionit në mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Unë i kam pasur disa pasoja për qëndrimet e mia, duke filluar me vendimin që ta mosvotojë qeverinë dhe kryetarin e parlamentit.  Unë tash nuk jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.  Qëndrimet e mija janë në rregull, sepse janë në përputhje të plotë me kërkesat e elektoratit të LDK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja ka qenë partia të cilën elektorati e ka votuar për ta larguar PDK-në nga pushteti, parti e cila për Salihajn ka qenë e zhytur në krim dhe korrupsion.

“Elektorati na ka votuar mbi këtë platformë, dhe për fat të keq ka ndodhur krejt e kundërta e kësaj. Unë konsideroj se jam në rregull me vullnetin e elektoratit. Jam në kontakt çdo ditë me votuesit tonë, dhe ata e shprehin pakënaqësinë e tyre me veprimet e LDK-së”,  ka shtuar Salihaj. /Telegrafi/