Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adem Salihaj, në emisionin “Info- Box”të RTV Dukagjini, ka theksuar se Hashim Thaçi është njeriu që më së paku e përfaqëson unitetin e popullit.
Salihaj ka sqaruar se kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar nga ai që ta votojë kandidaturën e Thaçit për president, për arsye se sipas tij, kështu do të respektohej marrëveshja e koalicionit në mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“Unë i kam pasur disa pasoja për qëndrimet e mia, duke filluar me vendimin që ta mosvotojë qeverinë dhe kryetarin e parlamentit. Unë tash nuk jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Qëndrimet e mija janë në rregull, sepse janë në përputhje të plotë me kërkesat e elektoratit të LDK-së”, ka thënë ai.
Sipas tij, LDK-ja ka qenë partia të cilën elektorati e ka votuar për ta larguar PDK-në nga pushteti, parti e cila për Salihajn ka qenë e zhytur në krim dhe korrupsion.
“Elektorati na ka votuar mbi këtë platformë, dhe për fat të keq ka ndodhur krejt e kundërta e kësaj. Unë konsideroj se jam në rregull me vullnetin e elektoratit. Jam në kontakt çdo ditë me votuesit tonë, dhe ata e shprehin pakënaqësinë e tyre me veprimet e LDK-së”, ka shtuar Salihaj. /Telegrafi/