Kreu i Helmetave të Bardha (Mbrojtja Civile në Siri) Raid Salih tha se janë marrë si objektiv i drejtpërdrejt dhe se u janë nënshtruar akuzave të pavërteta sepse janë dëshmitarë të parë të të gjitha masakrave dhe shkeljeve të të drejtave në luftën e brendshme në Siri.
Salih tha se për t’i ndihmuar civilët pranojnë mbështetje financiare nga çdo shtet dhe institucion por me kusht të vetëm që të mos ketë imponime politike.
Kreu i Mbrojtjes Civile në Siri, e cila në arenën ndërkombëtare njihet si Helmetat e Bardha, Raid Salih në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli në detaje në lidhje me aktivitetet, burimet financiare, strukturimin, vështirësitë me të cilat ballafaqohen dhe pretendimet ndaj organizatës së tyre.
Salih bëri të ditur se Helmetat e Bardha janë themeluar në fund të vitit të dytë të luftës së brendshme (2012), me bashkimin e një grupi të të rinjve nga profesione të ndryshme nga Halepi.
“Në fund të vitit 2012 disa rajone në Siri filluan të dalin nga kontrolli i regjimit. Pas kësaj, regjimi kreu sulme artilerike dhe ajrore ndaj vendbanimeve civile. Në këtë rast, lindi nevoja për një ekip i cili punon për shpëtimin e civilëve që kishin mbetur nën rrënojat e këtyre sulmeve”, tha Salih, duke shtuar se më pas ekipi ka vazhduar të rritet.
Salih vuri në dukje se në vitin 2015 tanimë ishin të njohur në botë dhe se për shkak të “helmetave të bardha” që vendosnin gjatë kërkimit dhe shpëtimit filluan të njihen me këtë emër.
Ai bën të ditur se që nga viti i kaluar kanë arritur në 4.300 vullnetarë, por që aktivitetet e tyre mund t’i kryejnë vetëm në rajonet ku është e lejuar.
“Meqë regjimi na ka cilësuar si terroristë, ne nuk mund t’i kryejmë aktivitetet në rajonet ku sundon regjimi. Shumë herë kemi qenë të kërcënuar”, tha Salih. “Po ashtu nuk mund të punojmë në rajonet e kontrolluara nga YPG. Sepse YPG në fund të vitit 2015 ka arrestuar punonjësit tanë. Në atë periudhë konfiskuan autoambulancat dhe pajisjet tona për kërkim dhe shpëtim në Afrin. Për shkaqe të ngjashme nuk mund të punojmë edhe në rajonet e kontrolluara nga DEASH-i. Ashtu siç dihet, DEASH-i në vitin 2015 ka arrestuar pjesëtarët e Helmetave të Bardha”, deklaroi ai.
Salih nënvizoi se ata mund të ofrojnë shërbime vetëm në hapësirat e kontrolluara nga opozitarët në veri të Sirisë, si dhe në rajonet e operacioneve të “Mburojës së Eufratit” dhe “Degës së Ullirit”.
Aktivitetet
Salih thekson se përveç punimeve për kërkim dhe shpëtim pas sulmeve kryejnë aktivitete të tilla si ndërhyrje në zjarre, zgjidhja e problemeve në sistemet për furnizim me ujë, si dhe pastrim të rrënojave.
Kreu i Helmetave të Bardha thotë se organizojnë edhe programe informuese për çështjet si ndihma e parë, vetëdijësimi i popullatës për mbetjet e luftës dhe informimi për atë se çfarë duhet bërë në momentin e sulmeve.
Burimet financiare
Lidhur me burimet financiare të Mbrojtjes Civile, Salih thotë se “Ne pranojmë mbështetje dhe ndihma nga çdo kush që dëshiron të mbështesë popullin e Sirisë. Për nga aspekti jonë nuk ka ndonjë pengesë për këtë. Kushti jonë i vetëm është që kur të bëhen këto ndihma të mos na bëhen imponime për çështjet politike ose ushtarake. Pra, ne i pranojmë mbështetjet financiare përderisa ato janë pa kushte dhe pa imponime. Në kuadër të kësaj ne i pranojmë mbështetjet financiare që ofrohen për ne, përderisa ato janë pa kushte dhe pa imponime”.
“Në kuadër të kësaj ne marrim ndihma financiare nga një numër i madh shtetesh. Po ashtu marrim mbështetje edhe nga populli dhe organizatat bamirëse. Pra, ne kemi 3 burime kryesore financiare. Shtetet, organizatat bamirëse dhe fushatat popullore. Shtetet të cilat mbështesin Helmetat e Bardha janë Katari, Britania e Madhe, SHBA-të, Holanda, Danimarka dhe Gjermania. Këto ditë jemi në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes edhe me Francën. Me disa shtete, përveç ndihmës së drejtpërdrejtë marrim mbështetje edhe nga institucionet. Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Fondacioni Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) na ka mbështetur”, potencon Salih.
Pretendimet ndaj tyre
Ndërsa në lidhje me pretendimet se kjo organizatë, e cila tri herë është theksuar si kandidate për Çmimin Nobel për Paqe ka kryer vetë sulme kimike, Salih thotë se ato janë “kryer nga regjimi”.
“Ne nuk mund të kryejmë sulm kimik apo me gazin klorin. Dihet se kush përdor gazin klorin dhe armët kimike në Siri. Ka raporte të qarta për këtë. Kush ka fuqi të klorit? Regjimi ka. Regjimi përdor bombat fuçi në vend. Kush përdor gazin klorin? Sigurisht regjimi. Gazin sarin në Siri e ka vetëm regjimi. Vetëm forcat e regjimit mund të kenë dhe të përdorin këtë”, tha ai.
Duke vënë në dukje se Rusia dhe regjimi i Asadit bëjnë akuza të pavërteta ndaj Helmetave të Bardha, Salih tha se “Sigurisht që këto kanë disa arsye. Sepse ne jemi dëshmitarë të parë të të gjitha masakrave dhe shkeljeve të të drejtave në Siri. Për këtë arsye, Rusia bën çdo gjë që është e mundur për të treguar regjimin sirian si të pafajshëm”.
Në lidhje me pretendimet se Izraeli është një nga financuesit dhe se Helmetat e Bardha kalojnë në Evropë nëpërmjet Izraelit, Salih tha: “Nuk pranojmë assesi mbështetje financiare nga Izraeli. Ne Izraelin e shohim si shtet okupues. Evakuimi i vullnetarëve tanë nuk u bë nëpërmjet Izraelit. (Me ndërmjetësimin e OKB-së) Nga Kodrat e Golanit nën pushtim kalojnë në Jordani dhe nga Jordania kalojnë në shtetet tjera”.
Vështirësitë me të cilat ballafaqohen
Salih thotë se vështirësia më e madhe me të cilën ballafaqohen është ndërhyrja e realizuar pas sulmeve me armë kimike.
“Sepse nuk kemi pajisje të mjaftueshme për të ndërhyrë në këto sulme”, tha Salih, duke potencuar shqetësimin që kanë sidomos për akuzat e regjimit dhe të Rusisë për çështjen e sulmeve kimike.
Ai tha se shumë herë janë marrë si objektiv i drejtpërdrejt nga forcat e regjimit gjatë aktiviteteve të kërkimit dhe shpëtimit. “Sikurse avionët e regjimit ashtu edhe avionët luftarakë të Rusisë shumë herë na kanë marrë si objektiv”, tha Salih.
Sipas tij, disa prej qendrave të tyre janë goditur disa herë dhe se 255 persona, vullnetarë në ekipet e tyre kanë humbur jetën.
Sukseset
Salih thotë se në një sondazh të realizuar vitin e kaluar për fushat ku kryejnë aktivitete, 85 për qind e popullatës në pyetjen se “Kush ju ndihmon në rast nevoje”, janë përgjigjur “Helmetat e Bardha”.
“Me të vërtetë kjo është një sukses i madh për ne. Këtë e thashë edhe më parë. Suksesi ynë i vërtetë nuk është që kemi shpëtuar jetën e 115 mijë civilëve, por suksesi ynë i vërtetë është se në këtë ambient të luftës kemi arritur të mbjellim shpresë në zemrën e popullit”, tha Salih.