Telegrafi

Sali: Pas 1 janarit do të përfundojnë pritjet e gjata për analiza shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali sot deklaroi se pritja deri në tre muaj për mamografi në Shkup është për shkak se pajisjet duhet të servisohen. Sali tha se kjo ka shkaktuar prishje të sistemit për termine.

“Kohë pa kohe kemi defekte për shkak të pajisjeve të vjetra, respektivisht të pajisjeve të amortizuara që për fat të keq për shkak të afatit nuk mund të servisohen me kohë dhe ato periudha, zbrazëtira për servisim të pajisjeve na shkakton prishje të listës së shërbimit të pacientëve”, tha mes tjerash Sali.

Sali paralajmëroi se nga 1 janari pritet të mbarojnë pritjet e gjata për analiza të llojeve të ndryshme, pasi do të instalohen aparate për kontrolle në 12 institucione shëndetësore në qytete të ndryshme të vendit.

“Është nënshkruar kontrata me kontraktues për instalimin e pajisjeve bashkëkohore në më së paku 12 institucione shëndetësore publike, duke filluar nga mamografë, aparate digjitale për rëntgen deri tek angiografitë dhe tomografive kompjuterike”, tha mes tjerash Sali duke shtuar kompanitë që do të instalojnë aparatet do të jenë të obliguara që edhe të trajnojnë kuadrin mjekësorë për përdorimin e të njëjtave aparate./TV21/