Site icon Telegrafi

Sali Berisha tregon kush e nxori në pritë Azem Hajdarin

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se Azem Hajdari u nxor në pritë nga Fatos Klosi, në atë kohë kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Berisha ka sqaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan se pse nuk është thirrur asnjëherë nga prokuroria apo gjykata për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit.

Berisha u shpreh se në momentin e ngjarjes, ai ka qenë në zyrë dhe nuk ishte dëshmitar okular i vrasjes së Hajdarit.

Ai tha se nuk është thirrur asnjëherë as në Gjykatë, as në prokurori, për të dëshmuar për vrasjen e Hajdarit.

I pyetur nga gazetari Fevziu se “përse është folur që ju jeni ftuar 50 herë nga gjykata dhe s’jeni paraqitur. Ju nuk keni marrë asnjë fletëthirrje?”, Berisha thotë se “në mënyrë absolute nuk kam marrë kurrë në jetën time fletëthirrje”.

“Nuk ka një media që të ketë botuar që të vërtetojë të kundërtën e kësaj që them unë. Fatos Klosi dhe ish-bashkëpunëtori i sigurimit të shtetit Arben Rakipi, bënin lojë dhe bënin skupe sepse thërrisnin, por s’më thërrisnin dot. Pse s’më thërrisnin dot. Për dy fakte sepse unë do t’u bëja pretencë politike atyre dhe unë nuk kisha dëshmitar okular o zotëri. Unë kisha qenë në zyrë dhe çfarë do të dëshmoja unë nuk merrte dot fuqinë e një prove pa u verifikuar. Së treti, vetëm në harkun kohor 12 orë atë ditë kam bërë 3 konferenca shtypi pa llogaritur edhe konferencat e përditshme. Pra unë Sali Berisha nuk kam vajtur, kam denoncuar publikisht çdo të dhënë që ka ardhur, kam denoncuar vrasjen shtetërore”,tha ai.

Ish-kreu i qeverisë u shpreh se ka zhvilluar asokohe me dhjetëra konferenca ku ka denoncuar fakte në lidhje me atë që e quan si vrasje shtetërore.

I pyetur nga gazetari Fevziu se “si shpjegohet që Azem Hajdari doli nga selia dhe eci në këmbë në një drejtim të panjohur, kur ai nuk lëvizte nga makina? Dhe nga Rogneri makina afrohej në derë për ta marrë. Kush e nxori në pritë Azem Hajdarin?”

“Në pritë po të më pyesësh mua, e nxori Fatos Klosi.Ishte kurth…”, tha Berisha

“Në deklaratën time është thënë personi i cili më erdhi në zyrë dhe më tha: Unë e vrara Azem Hajdarin. Jo më i thashë, çfarë flet. Ishte i shfazuar… Sepse kështu më ndodhi tha, më mori në telefon filani më tha thuaji Azemit që është një makinë, diku aty. Po mirë i thashë unë, nuk ke vrarë ti… ai ishte i tronditur. Ky ishte një militant i PD. Aty kuptova, që kurthin e tillë e organizoi, e serviri Shërbimi. Kishte një radio të Shërbimit Informativ, në makinën nga e cila dolën vrasësit”, tha Berisha. /tvklan.al

Exit mobile version