Berisha nga Mamurrasi e simpatizon Berishën politikan dhe thotë se e ka takuar vetëm njëherë në një miting. E vetmja e përbashkët mes tyre, është se asnjëri nuk e do qeverinë aktuale.
“Jam Sali Berisha, kam lindur këtu në Mamurras, jam 80 vjeç. Kam punuar në parkun e Laçit, kam larë makina në Lavazh”, thotë ai për News24, duke shtuar se nga vitet ’90 është i papunë e se jeton me pensionin e gruas.
Sali Berisha i Mamurrrasit thotë se ka takuar një herë të vetme Sali Berishën udhëheqës, gjatë një mitingu.
“E simpatizoj shumë bile, se për mua është burrë i mirë. E kam takuar vetëm një herë në Mamurras. Si je Sali Berisha? Si je ti, Sali Berisha? Mirë!”.
Dhe ashtu si ish-kryeministri, as Sali Berisha i Laçit nuk e do qeverinë socialiste.
“Ma të keqe nuk ka ku shkon më, më mirë të kthehemi mbrapa”, thotë ai.