Telegrafi

Sali Asllanaj: Në balotazh do të garojmë të vetëm, nuk bëjmë pazare politike

Kandidati i LDK-së për Suharekën, Sali Asllanaj, ka thënë se rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale kanë qenë befasuese.

Ai ka thënë se në raundin e dytë të zgjedhjeve ku në garë do të jetë me kandidatin e AAK-së, Bali Muharremaj, do të hyjnë si subjekt i vetëm.

“Rezultatet kanë qenë befasuese, sepse rezultatet sondazheve na kanë qitur neve si të parët. Ky rezultat është kulmi i të arriturave të AAK-së dhe nuk besoj se do të shkoj më tutje”, ka thënë Asllanaj në emisionin “Debat D” në RTV Dukagjini, shkruan Telegrafi.

Asllanaj ka theksuar se do të bëjnë marrëveshje me qytetarin e jo pazare politike siç i quan ai koalicionet para balotazhit.

“Besoj që qytetarët do të votojnë në bazë të bindjeve të veta, dhe besoj që do të më votojnë mua. Nuk e kemi ndërmend të bëjmë koalicion me asnjërin kandidat politik, nuk duam të bëjmë pazare politike”, tha Asllanaj.

Ai tutje akuzoi PDK-në që ka përdorur kandidatin e tyre Blerim Xhemajli për ta ndihmuar kandidatin e AAK-së. /Telegrafi/