Site icon Telegrafi

Salihu: Mundësia e ekstradimit të Haradinajt në Serbi është zero

Profesori i së Drejtës Penale në Universitetin e Prishtinës, Ismet Salihu, tha se Ramush Haradinaj është emblemë e UÇK-së dhe Kosovës.

Ai theksoi se arrestimi i Haradinajt është një padrejtësi e madhe që i është bërë Kosovës.

“Jemi të zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare e cila është e kyçur në Kosovë. Shtrohet pyetja a nuk kanë mundur që të mbledhin të dhëna e fakte për krimet e kryera nga serbët në Kosovë? Në rast kur policia, prokuroria, gjykatat kanë filluar punët mbi gjenocidin në Kosovë ndërkombëtarët kanë ndërhyrë e i kanë marr ato në vitin 2014. Drejtësia ndërkombëtare nuk do duhej të kishte ndërhyrë”, ka thënë Salihu, transmeton Telegrafi.

Ai ka theksuar se ekstradimi i Haradinajt në Serbi është çështje juridike dhe politike.

“Politike pasi që fjalën e fundit e jep ministri i Drejtësisë së shtetit ku është ndalur. Jemi të brengosur për rastin e Haradinaj, i ka munguar organeve tona biseda dhe sqarimet e fletarresteve të Serbisë në lidhje më këtë. Është bërë lëshim i organeve tona. Mundësia e ekstradimit është zero pasi një shtet nuk duhet të lejoj ekstradimin e tij nëse çështja është politike, ushtarake religjioze dhe mbi të do të kryhen veprime çnjerëzore. Kjo është e formuluar në rregullat e Interpolit neni 3”, tha profesor Salihu./Telegrafi/

Exit mobile version