Salamander Super Kupa e Kosovës do të zhvillohet me 19 shtator në Palestrën 1 Tetori në Prishtinë, ku do të ballafaqohen kampionia e Kosovës, Peja dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Sigal Prishtina.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të martën ka konfirmuar marrëveshjen e arritur me kompaninë e njohur gjermane, Salamander, e cila do të sponsorizojë në vitet e ardhshme Superkupën e Kosovës.
“FBK ka arritur marrëveshje me kompaninë lider në Kosovë për prodhim të profileve të dritareve, Metal grup, përfaqësuese e kompanisë së njohur gjermane Salamander, për sponsorizim të Superkupës së Kosovës për tri vitet e ardhshme. Superkupa e Kosovës do të mbaj emrin e Salamander në vitin 2013, 2014 dhe 2015”, është thënë në njoftimin e FBK-së.
Sipas këtij njoftimi, ky sponsorizim do të mundësoj që FBK të bëjë organizim më të suksesshëm të kësaj ngjarje që nuk është zhvilluar për më se 10 vjet.
Pas Baker Tilly Kosova, Salamander është kompania e dytë që sponsorizon Federatën e Basketbollit të Kosovës, që nga zgjedhja e drejtueseve të rinj në krye të FBK-së. /Kosovapress/Telegrafi/