Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah këmbëngul se e ardhmja e tij është në klubin e Ligës Premier, duke thënë se paraqitjet e ekipit të tij këtë sezon ishin vetëm fillimi.
Salah u vlerësua për sezonin e tij të pabesueshëm duke fituar trofe të dyfishtë individual në çmimet e fundvitit të Liverpoolit të enjten.
Reprezentuesi i Egjiptit ka shënuar 43 gola në të gjitha garat në sezonin e tij të parë në Anfield, duke ndihmuar djelmoshat e Jurgen Kloppit të arrijnë në finalen e Ligës së Kampionëve.
Dhe 25-vjeçari, i cili është kontraktuar deri në vitin 2022, tha se është i angazhuar për të arritur edhe më shumë në Liverpool, mes raporteve që Real Madridi është i interesuar për nënshkrimin e tij.
“Jam shumë i lumtur këtu, çdo gjë është mirë”, ka thënë fillimisht Salah për gazetarët e pranishëm në ceremoni.
“Sigurisht që unë kam ambicie për të ardhmen me Liverpoolin”.
“Siç mund ta shihni, kemi pasur një sezon të mirë, tani jemi në finalen e Ligës së Kampionëve dhe të gjithë janë të ngazëllyer”.
“Është vetëm fillimi, ky është viti im i parë këtu dhe është e njëjtë për disa lojtarë të tjerë, por është vetëm fillimi”, përfundoi ylli egjiptian. /Telegrafi/