Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah ka deklaruar se synon të përpiqet të thyejë rekordin e golave të shënuar brenda një sezoni nga legjenda Ian Rush.
Uellsiani shënoi plot 47 gola në sezonin 1983-84 dhe pas arritjes së 40 golave ndaj Bournemouthit të shtunën, Salah shprehu kënaqësinë e tij për t’u bashkuar në një rang me një legjendë si Rush.
Por, tani egjiptiani dëshiron të shkojë më tej dhe të thyejë rekordin e Rush, me pesë ndeshje të Ligës Premier dhe gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve ende për ti luajtur.
“Ka një shans të madh për të thyer rekordin, që do të jetë numër 1 për një klub si Liverpool, është diçka e madhe”, ka thënë fillimisht Salah për Premier League Productions.
“Unë do të jem shumë i lumtur nëse do ta thyej atë rekord. Jam i lumtur për 40 golat. Dua të vazhdoj të shënoj, dua të jem numër 1 për këtë rekord”.
“Është gjithmonë mirë kur e shihni emrin tuaj me legjenda të një klubi si Liverpooli, është një ndjenjë ndryshe dhe jam shumë i lumtur për këtë”.
“Por, unë gjithmonë përpiqem të shikoj veten dhe dua edhe më shumë. Tani kam 40 gola, por i them vetes, “Pse jo, mund të jesh Nr.1′”
“Do të përpiqem të bëj më të mirën për të thyer rekordin, por, siç e kam thënë më parë, ne luajmë si 11 lojtarë, luaj për ekipin”.
“Nuk ka të bëjë me çmime individuale, është diçka për ekipin. Jam i sigurt nëse kam një shans për t’ia dhënë dikujt tjetër për të shënuar, unë do t’ia asistoj – nuk është për mua, është për ne”, përfundoi ylli egjiptian. /Telegrafi/