Telegrafi

Sakrifica e Muriqit, rrezikoi të mbetej jashtë deri në tre muaj: Fitoren ia dedikoj Fadil Vokrrit dhe stafit mjekësor

Vedat Muriqi sakrifikoi për Kosovën në fitoren prej 3-2 kundër Irlandës së Veriut në kuadër të Ligës së Kombeve.

Sulmuesi nga Prizreni luajti i lënduar, mirëpo ia doli të shënojë dy gola në fitoren e mrekullueshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.

28-vjeçari, i cili ia dedikoi golin e parë Fadil Vokrrit, duke folur për SuperSport zbuloi edhe një prapaskenë interesante të minutave të fundit me trajnerin Alain Giresse. Në fillim i kërkoi zëvendësimin, por më pas ndryshoi mendje.

“Jam shumë i kënaqur me fitoren, ishte e domosdoshme për ne, pasi vinim nga një humbje dhe lojë jo e mirë ndaj Greqisë. Nëse shënoj dhe fitojmë jam trefish më i lumtur, pasi jam sulmues”.

Lexo po ashtu Notat e lojtarëve: Kosova 3-2 Irlanda e Veriut, Muriqi me vlerësim të lartë

“Në pushim e mora vesh që kisha shënuar në minutën e nëntë. Ndihem krenar, golin dhe fitoren ia dedikoj Fadil Vokrrit, ai ka merita nëse ne ndodhemi këtu sot”.

“Kam qenë në dyshim për ndeshje, ishte rrezik i madh nëse do të merrja goditje në kofshë do të qëndroja edhe dy-tre muaj jashtë. Jam shumë i lumtur që ia dola. Golat dhe fitoren ia dedikoj edhe stafit mjekësor. Besoj se do luaj edhe ndaj Greqisë”.

Lexo po ashtu Kosova e mrekullueshme në triumfin ndaj Irlandës së Veriut

“Në nxehje nuk e ndjeva veten mirë, por ia dola. I thashë trajnerit që mos e bëj ndërrimin e fundit që të më priste, më pas pësuam golin e dytë dhe na nevojitej lartësi në fushë. Thashë të ndodhë çfarë të ndodhë në pesë minutat e fundit, kështu që qëndrova në fushë“, ka treguar Muriqi.