Spitali rajonal i Pejës, është furnizuar vazhdimsht me mjete mbrojtëse dhe pajisje medicinale gjatë gjithë kohës, prandaj me furnizimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe furnizimet vetanale, ata qëndrojnë mirë sa i përket kushteve opër trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Madje, me kërkesën e institucioneve, nga dy respiratorë që ka poseduar ky spital, njërin e kanë dërguar në Qendren Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci, tha se për momentin kanë mjaftueshëm pajisje mbrojtëse.
Ai po ashtu u shpreh i kënaqur me furnizimin që kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Po bëjmë të pamundurën që stafi ynë të jetë i pajisur me mjete mbrojtëse. Furnizohemi kohë pas kohe nga furnizimet të cilat i bëjmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe furnizimet vetanake të cilat i sigurojmë, në mënyrë që të jemi të kompletuar me masa mbrojtëse sa i përket stafit mjekësor”, deklaroi ai.
Edhe Naim Sahiti, zyrtar për informim në spitalin rajonal të Pejës, për KosovaPress tha se kanë mjaftueshëm mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor.
“Kryesisht është i furnizuar me të gjitha ato mjete që i nevojiten personelit, sigurisht që kemi maska kirurgjikale, pastaj dorëza, mantila kirurgjikal, kemi edhe uniforma për personelin tonë që ka për të punuar drejtpërdrejtë me pacientët që vijnë në rastet e triazhimit. Për momentin mund të themi me përgjegjësi të plotë se kemi mjete mbrojtëse të mjaftueshme”, tha ai.
Edhe sa i përket furnizimit me barna të listës esenciale, Sahiti thotë se qëndrojnë shumë mirë.
Spitali rajonal i Pejës ka dy respiratorë, ku njëri sipas Sahitit është dërguar në Prishtinë në Klinikën Infektive.
“Si spital i kemi dy respiratorë, një është dërguar në QKUK me kërkesë, një gjendet tek ne. Ne kemi edhe 60 kyçje me oksigjen për rastet që mund të trajtohen me oksigjen i kemi këtu”, tha ai.
Në vendin tonë deri më tani janë 145 raste me COVID-19, ndërsa tre persona kanë humbur jetën. /Telegrafi/