Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka deklaruar se kontrata 750 mijë euro e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”, duhet të anulohet.
Në një postim në Facebook, Sahatçiu ka thënë se me pranimin e dokumentacionit të plotë të procesit për shpalljen e operatorit ekonomik fitues për kontratën “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës”, sqarohen shumë gjëra.
“A ka bazë dhe nevojë për procedurë të përshpejtuar? Jo. A ka bazë për procedurë të negociuar? Jo. Ndonëse NPL-ja thirret në faktin se operatori ekonomik fitues është operatori i njëjtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara, ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm duke mos e kërkuar pronësinë e kodit/pronës intelektuale në dorëzim të aplikacionit kur është ndërtuar. A ka bazë në kërkesa për vlerën e kontratës? Jo. Volumi i kërkuar i punës mund të shndërrohet në jo më shumë se 3,000 orë pune. Çmimi i orës nuk mund të jetë 250 euro, edhe nëse heqim kostot e infrastrukturës”, ka shkruar ajo.
Më tej Sahatçiu ka thënë se ka bazë dyshimi në kredencialet e operatorit ekonomik fitues.
“Derisa online prezantohet si ofrues i shërbimeve të komunikimit në rrjete sociale, nuk ka asnjë kredencial online që e dëshmon përvojën e referencuar profesionale në kryerjen e shërbimeve të kërkuara”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo kontratë duhet të anulohet, duhet të jepet përgjegjësi dhe “të ndalohet keqpërdorimi në vazhdim”./Telegrafi/