Do të ishte një lexim i gabuar i këtij shkrimi nëse do të shihej sikur ka një përmbajtje thjesht personale. Eksperienca ime me Covidin-19 këtu është thjesht një pretekst për të shkruar për solidaritetin që është shfaqur në shoqërinë tonë në këtë kohë pandemie. Një solidaritet njerëzor që kompenson paaftësinë e qeverisë sonë dhe veçanërisht të kryeministrit Rama që nga “Tabir Saraji” i tij na nxjerr “bash ëndrra” me vaksina joekzistuese për pandeminë.
Unë si studiues i mendimit shqiptar e kam ndjekur me vëmendje të veçantë atë që ka ndodhur me këtë mendim në prizmin e pandemisë, duke pasur parasysh atë që ka thënë G.K. Chesterton, shkrimtar dhe filozof anglez: “Unë mendoj se falënderimet janë forma më e lartë e mendimit dhe mirënjohja është lumturia e dyfishuar nga habia.”
Chesterton (1874-1936) jetoi në kohën e gripit spanjoll, një përvojë e ngjashme me atë të Covidit-19. Që në fëmijërinë time kisha dëgjuar nga gjyshërit histori të frikshme për gripin spanjoll që në fund të dekadës së parë dhe në fillim të dekadës së dytë të shekullit XX kishte prekur edhe Shqipërinë si kalorës apokaliptik që sjell vdekjen duke kositur jetë njerëzore ashtu siç paraqitet Vdekja në gravura. Ishin histori dhimbjeje, por edhe qëndrese e kurajoje në përballimin e fatkeqësisë. Por mendoja se këto ishin ngjarje që i përkisnin së kaluarës dhe se një tragjedi e tillë nuk mund të përsëritej në kohën tonë, kur mjekësia ka njohur një zhvillim të madh në krahasim me një shekull më parë. Kështu si unë mendonin edhe shumica e njerëzve në botë. Por natyra na kishte rezervuar të papriturën e frikshme me Covid-19. Dhe njërit prej atyre që i takoi fati të ishte midis të prekurve madje rëndë, por të mbijetuarve, isha edhe unë.
Përvojën time me koronavirusin nuk do ta tregoj thjesht si pacient, se kjo nuk ka rëndësi për lexuesin, por si studiues i mendimit shqiptar që vëren shfaqjen e solidaritetit në kohë pandemie, të asaj forme të mendimit që Chesterton e quan shkalla më e lartë e mendimit.
Në sajë të kujdesit të vazhdueshëm që tregoj për shëndetin tim kisha menduar që unë do ta përballoja situatën e pandemisë deri kur të kisha mundësinë për të marrë vaksinën. Me një kujdes maksimal mbijetova kështu me besim, për rreth një vit të tërë. Por, ja që ekzistenca në mjedisin tonë shoqëror e kësaj flame të keqe pandemike bëri që virusi të thyente edhe masat e mia parandaluese dhe të depërtonte edhe në organizmin tim, si dhe në atë të bashkëshortes sime që vuan edhe nga një sëmundje e rëndë bashkëshoqëruese.
Sot që po shkruaj kam mbi njëzet e tre ditë i infektuar. Në ditët e para e përjetova gjendjen time si diçka joshqetësuese, duke menduar se kisha shenja të një gripi stinor fare të lehtë. Por, as që e imagjinoja se në organizmin tim kishte hyrë virusi vdekësor dhe do të kaloja sfidën më të vështirë të jetës sime.
I diagnostifikuar fillimisht si një i infektuar me simptoma lehtësisht shqetësuese vazhdoja i qetë karantinimin duke jetuar me shqetësimin e gruas, e cila sapo kishte përfunduar ato ditë një kurë kimioterapie.
Por, siç kam mundur të lexoj në mënyrë fragmentare nga kronikat e viruseve pandemike të gripit spanjoll apo atij të Hong Kongut, shkenca mjekësore këtu mbetet e pushtuar nga një relativitet i padepërtueshëm. As në dallim nga mosha, as nga simptomat fillestare, nuk mund të japë dikush një orientim të qartë, se kush mund të komplikohet dhe kush është i prirur të lehtësohet.
Mbas disa ulje ngritjeve të natyrshme për ecurinë e zhvillimit të infeksionit në ditën e dymbëdhjetë gjendja u përkeqësua pa pritur dhe e pa shpjeguar në mënyrë dramatike duke e rritur nivelin e infeksionit në dhjetëra herë me një impakt temperature të lartë që i kalonte tridhjete nëntë gradë. Ndërsa para dy ditësh unë kisha komunikuar me miqtë dhe të afërt se Covidinin-19 e kisha kaluar çuditërisht në këto momente kisha filluar sfidën e vërtet të kësaj sëmundje që unë po e provoja konkretisht sa misterioze dhe e paparashikueshme që po bëhej.
Diagnostikimi i bërë me një skanim të mëparshëm mushkërish konstatoi se unë kisha vetë dy tre pulla të vogël në to tash po shfarosej nga një gjendje e re mbivendosje infeksioni e cila po ma mbante temperaturën të lartë, po më vështirësonte frymëmarrjen, po më zvogëlonte oksigjenin dhe kështu po më krijonte aritmi të rrezikshme ekstrasistola.
Sipas eksperiencave klinike të deritanishme në raport me trajtimin e kësaj sëmundje. dita 12 ose e trembëdhjetë që bëjnë temperaturë agresive mund të çojnë, por jo domosdoshmërisht në oksigjenim, por edhe në pështjellime të thella të mëtejshme. Ka vetëm fakte, por gjithçka mbetet e pa shpjeguar me argumente të përgjithësuara shkencore mbi këtë lloj vijueshmërie. Ndoshta trajtimi në pavion që unë e kisha të vështirë ta pranoja u shtua si opsion edhe për mua. Nga mesazhet e mia që kam shkëmbyer me dr. Amarildo Hidrin, reaminator i pavionit “Covid-19” në Spitalin Amerikan nr. 3 e ndjeva thellë këtë mundësi.
Por, jeta ime e vështirë dhe e mundimshme me të cilën unë kam rendur në kohët e mëparshme, sidomos në kohën e komunizmit më ka “urdhëruar” thellë vetes time se kurajua, qetësia dhe dashuria për jetën të bëheshin kalendari im i vetëm i cili ndoshta edhe instinktiv më kanë ndihmuar të ruaj shëndetin tim nga çdo moment i vështirë, të ruaj jetesën, ëndrrat dhe të zhvilloja në kushte të privuara karrierën time duke sfiduar pse jo edhe kohët e vështira që më janë vërsulur.
Në librin tim “Shi i egër” një skicë autobiografike e shkurtër e jetës time shkruar 20 vjet më parë kujtoj tre ngjarje nga jeta në të cilat jeta ime ka puthur vdekjen dhe të tria lidhen me punën e vështirë që kam bërë për 10 vjet me radhë në minierën e Valiasit në Tiranë.
Njëherë mbeta i bllokuar në mes të galerisë mbas një shpërthimi gazi. Unë mbijetova duke tërhequr me dhëmbë, kurajo dhe gjakftohtësi tubin e trashë të gominit të ajrit. Duke e mbajtur tubin në gojë, eca zvarrë-zvarrë derisa mbasi përshkova një kilometër rrugë dola gjysmë i vdekur në galerinë ajrosëse ose siç i thoshim ndryshe travenbang.
Herën e dytë ndërsa po ngriheshim me kafaz (ashensorin ngjitës-zbritës) nga kuota 400 metra nën tokë, kur sapo kishim mbaruar turnin e radhës, papritur pranë grykës së pusit (daljes) kafazi mori zbritje të lirë të pa pritur për arsye të shkëputjes së energjisë elektrike. Fatmirësisht frenat mekanik, që nuk po aktivizoheshin u hapen vetëm në 40 centimetra largësi nga përplasja. Kominoshet e veshura të uniformës së nëntokës ishin për t’u shtrydhur nga djersa e frikës.
Herën e tretë më zuri vagoni në mes të galerisë duke më krijuar mjaft fraktura me dëmtime afatgjata.
Janë eksperienca të frikshme dhe tragjike që mund të më kishin caktuar një fat tjetër në lidhje ekzistencën time fizike.
Ka një ngjashmëri të natyrshme të këtyre fatkeqësive të trishtueshme dhe sëmundjes që unë jam duke kaluar këto ditë për shkak të infektimit të koronavirusit. Ngjashmëria qëndron në kërcënimit që i është bërë jetës në të gjitha rastet. Është një kërcënim real, i frikshëm me një thellësi të pa dukshme shqetësimi, sepse nuk je i sigurt në se do shërohesh vërtet pavarësisht nga cilësia e mjekimit. Dhe kjo frikë dhe ky shqetësim sot ka qartësisht përmasën e gjithë shoqërisë shqiptare, e cila po infektohet dhe po sëmuret sipas një reaksioni zinxhirë nga kjo murtajë e vërtetë që na ka zënë
Unë zgjodha rrugën e trajtimit intensiv duke bërë dy herë në ditë intravenozë me nga tre antibiotik ku çdo herë mora dhe një dozë të mirë deksametazon që i hapte rrugë antibiotikut në mushkri dhe me kurajë them se fitova. Mbas 23 ditësh me terapi venoze 10 ditë me radhë nën kujdesin profesional dhe shumë njerëzor të dr Gentian Huta dhe dr. reaminator Amarildo Hidri, sot ndjehem i shëruar, por ende i parikuperuar. Covid-19 ka lënë pasojat e tij shëndetësore që presin vullnetin tim të mëtejshëm për t’iu kthyer aktivitetit të lirë të dikurshëm jetësor e për tu bërë ashtu siç isha. Por, ajo që po më lumturon më shumë është ringjallje e nervit të punës dhe krijimit mungesën e të cilit po e përjetoja dhimbshëm si sëmundjen në ditët e pështjelluara të kësaj të keqe. Fillova të lexoj dhe shijoj, shikoj me ëmbëlsi dorëshkrimet e lëna përgjysmë të librit të tim ri që po shkruaj “Vitet tridhjetë të shekullit XX”, kam filluar të shfletoj skedat e përgatitura ngadalë-ngadalë të një libri studimoro-biografik për shkrimtarin e anashkaluar Jakov Xoxa. Po skicoj biografinë e Ismail Qemalit, kryetarit të shtetit të parë shqiptar për të cilën jam zotuar publikisht se do ta kapërcej edhe këtë ëndërr. Thonë se pjekuria në këtë moshë e çon arsyen dhe mendimin në majë. Nuk e di, as nuk mund ta mohoj apo konfirmoj, ndonëse diçka të tillë e ndjej pak, por sidoqoftë sëmundja ëndrrat nuk m’ i vrau dot dhe as që m’i drobiti sadopak, përkundrazi sikur më ka vitalizuar më shumë. Këtë e them në kuptimin që kur mbijetojmë në një sfidë të rëndë dalim më të fortë prej saj se ç’ kemi qenë më parë.
Me sa po duket nga përmasat që ka marrë sëmundja në vendin tonë, realisht dhe pashmangshmërisht ne do ta kalojmë të gjithë duke e lënë vaksinën e mundshme të premtuar të kryeministrit si një relike gënjeshtrash në duart e tij. Kjo sëmundje më ka bërë ta shikoj edhe më qartësisht realitetin shqiptarë përtej filtrave censuruese të propagandës zyrtare, ku njerëzit e sëmurur dhe të infektuar me dhjetëra mijë në ditë nga mosbesimi që kanë nda kryeministrit dhe qeverisë kanë krijuar struktura paralele të dhe kanë filluar të mjekohen në heshtje me grupe mjekësh dhe infermierësh me ilaçet dhe mjetet e tyre financiare të paguara vetë edhe pse sigurimet shëndetësore për jetën e tyre kanë mbushur arkën e shtetit në vite me radhë.
Vetëm në rrethin tim familjarë numërohen dymbëdhjetë të tillë. Shteti tragjikisht e ka lënë agresivitetin e Covid-19 në rënie të lirë. Ndërsa kjo është panorama e Covid-19 dhe e përmasës së krijuar të sëmundjes së këtij virusi historik, nga “Tabiri Saraj” kryeministror buçasin “bash ëndrrat” për shërime të suksesshme dhe plane të sigurta vaksinash, të cilat më së shumti ilustrohen me foto dhe pamje ku përveçse pasqyrojnë dhe mendjen e errët të kryeministrit, fotografime të cilat krijojnë imazh të rremë dhe gënjejnë nuk pasqyrojnë të vërtetën që po ndodh në realitet. A nuk ju kujtohet kur një ditë ai la “Tabir Sarajin” e tij që ka krijuar me mendjen e vet dhe qëndroi në sfond të një kronike në aeroportin “Nënë Tereza”. Përball një aeroplani zviceran frigoriferik, nga ku me shumë vështirësi u shkarkua një komodinë me nja 300 apo 400 vaksina të cilat të krijonin përshtypjen e një restoje të kthyer prej dikujt.
Ky realitet fotografish dhe kronikash të krijuara nga ai vetë (duke më falur lexuesi im i dashur) a nuk i ngjan më së miri asaj fabulës popullore të dhelprës me testikuj e dashit. Dhelpra e joshur kur pa ato që i vareshin dashit në përrua e ndoqi nga mbrapa duke pasur iluzionin se testikujt do të këputeshin dhe ajo do të ngopej në një vakt të mirë me to. Por, me gjithë mundimin e dhelprës testikuj as që i ranë nga kofshët e dashit kurrë. Ekzaktësisht si testikuj që tunden nga kofshët e dashit ashtu do përfundoj edhe perspektiva e vaksinimit të shqiptarëve, e cila tashti ekziston vetëm në vrimën e zezë që ka krijuar në mendjen e tij kryeministri ynë i “Tabir Sarajt”.
“Si asnjë detyrë nuk është më e rëndësishme se ajo e kthimit të falënderimeve”, thotë James Allen
Poeti i madh italian i parajsës, purgatorit dhe ferrit, Dante Aligeri, mosmirënjohjen e quante krim dhe mosmirënjohësve ua kishte caktuar vendin në rrathët e fundit të ferrit. Dhe sidomos kur shqetësimi dhe kujdesi i njerëzve lidhej me shëndetin e tij.
Ndaj mirënjohja ime më e thellë mbetet për presidentin e Republikës. z. Ilir Meta, që u kujdes në vijimësi, pothuajse çdo ditë për ecurinë time në shërbimet e pavioni Covid-19 në Spitalin Amerikan nr.3 Tiranë. Një vlerësim të sinqertë kam për dr Genti Hutin dhe dr. reaminator Amaildo Hidri, të cilët me aftësi profesionalë dhe një humanizëm njerëzor zemëror bën që përkeqësimi im të ndalej duke u futur në rrugën e përmirësimit.
Një rivlerësim të kuptueshëm kam për Lulzim Bashën, me të cilin kisha pothuajse 5 vjet që nuk komunikoja më me telefon për shkak të disa debateve publike që unë shkëmbeva në shtyp me të. Ai më telefonoi papritur në mesnatë dhe, duke më uruar për shërim të shpejtë, më tha se do të bënte për mua çdo gjë që të kishte mundësi. Një sjellje kjo e shkallës më të lartë të llojit që thotë Chestertoni.
Një falënderim të drejtpërdrejtë edhe për mikun tim Prof. Myqerem Tafaj. Gjithashtu, edhe për mikun tim të vyer Bujar Leskaj, i cili tash është duke bërë një fushatë shembullore në Qarkun e Vlorës. Të dy këta e përcillnin me interesim dhe shqetësim të vazhdueshëm gjendjen time shëndetësore.
Përveçse mirënjohje kam dhe një përshëndetje vlerësuese për mikun tim nga Prishtina, biznesmen dhe aktivist i njohur Mehmet Prishtina i cili në mënyrë bujare u zotua se në çdo moment të vështirë do bënte gjithçka që unë të mos ndjeja së paku asnjë vështirësi financiare për tu shëruar. Pjesë e pandarë e kësaj mirënjohje njerëzore janë edhe me qindra e mijëra mesazh të ardhur në adresën time nga miq, lexues, dashamirës, të afërm ose të njohur në distancë, të cilët u shqetësuan dhe për së largu u interesuan për mua.
Rasti im personal, përvoja ime e përballjes me këtë murtajë të shekullit XXI është pjesë e vuajtjeve, shqetësimeve, problemeve dhe rënkimeve që po kalon edhe shoqëria shqiptare. Në këtë botë ne kemi vërtet nevojë për njeri tjetrin dhe jeta po provon me fakte të panumërta se ne e kemi shprehur gjithmonë si në tërësinë e historisë sonë këtë solidaritet në nevojë me njeri tjetrin.