Një përleshje fizike ka ndodhur sot mes anëtareve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega Mitrovicë.
Mësohet se përleshja ka ndodhur si shkak i pakënaqësive ndërmjet delegatëve të kësaj dege, për shkak të zgjedhjes së kryetarit të ri.
Kryetari i LDK-së, dega Mitrovicë, Safet Kamberi në një prononcim për Telegrafin ka folur rreth Kuvendit zgjedhor të LDK-së.
Sipas tij, në Kuvendin zgjedhor ku ishin duke u mbajtur zgjedhjet e brendshme, të dy nëndegëve më të mëdha në Mitrovicë, Ilirida ku ishte nën monitorim të vet Kamberit dhe Haki Rugovës dhe në nëndegën e Qendrës aty ku ka ndodhur përleshja kanë qenë prezent për monitorimin e zgjedhjeve Avdullah Hoti dhe Naim Hajra.
“Jemi në kuadër të procesit zgjedhor. Kemi qenë prezent në monitorimin e dy nëndegëve të Kuvendit Ilirida dhe Qendra. Në nëndegën e Iliridës kishte prezent anëtarë të subjekteve tjera politike dhe nuk e mbajtëm Kuvendin duke e paralajmëruar si kuvend të dështuar pasi nuk kishte kushte të punës. Ndërsa në Kuvendin e Qendrës ka pasur një incident mes anëtarëve të partisë dhe nuk është mbajtur kuvendi deri në një afat tjetër kohorë”, ka thënë ai për Telegrafin.
Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka qenë prezent kur u raportua se ndodhi ngjarja e përleshjes fizike mes grupacioneve të LDK-së.
“Sqarim: unë nuk kam qenë prezent në ngjarjen që po raportohet si përleshje në kuvendin e një nëndege në Mitrovicë. Për te gjitha detajet, Kryesia e Degës së LDK-së në Mitrovicë do të njoftojë opinionin me një deklarate publike”, ka shkruar Hoti./Telegrafi/
Më poshtë pamjet nga përleshja që ka ndodhur mes anëtarëve të LDK-së: