Telegrafi

Saveski: E liruan Pavle Bogoevskin, ndërsa neve na tërheqin nëpër gjykata

Aktivisti i partisë “E Majta” Zdravko Saveski, në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se për shkak të mungesës së prokurores Snezhana Bundalevska-Gorigievska, sot në Gjykatën Penale në Shkup sërish është anuluar seanca gjyqësore kundër tij dhe Vlladimir Kunoskit.

Ata së bashku me Mariglen Demiri janë të akuzuar për demolimin e zyrës së presidentit Gjorge Ivanov, gjatë protestave të “Revolucionit Laraman”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Saveski shkruan se gati dy vite janë duke u tërhequr nëpër gjykata, pa arsye.

“Sot përsëri e anuluan seancën. Gati dy vite po na tërheqin për asgjë nëpër gjykata. LSDM-ja do të sillte prokurori të pavarur? Hajde. Prokurorja duke mos pasur argumente dhe prova, me qëllim shtyn procesin pasi ka marrë urdhër të tillë partiak. E liruan Pavlen dhe heshtën. Neve që na tërheqin nëpër gjykata – nuk është e rëndësishme”, ka shkruar mes tjerash Saveski.

Përndryshe, Prokuroria e Shkupit vazhdimisht anulon seancat për të akuzuarit gjatë “Revolucionit Laraman” për arsye të ndryshme. Ndërsa seanca për Mariglen Demiri që e udhëheq gjykatësja Sllavica Andreevska, është caktuar për më 28 shtator./Telegrafi/