Site icon Telegrafi

Sadio Mane paguan për trajtimin e plotë në spital të një djaloshi që kishte pësuar aksident edhe pse e takoi rastësisht

Sulmuesi senegalez Sadio Mane pagoi një faturë të plotë spitalore për një djalë që kishte lëndime të mëdha pas një takimi të rastësishëm me familjen e tij në një spital të Kamerunit gjatë Kupës së Kombeve Afrikane.

Sulmuesi i Liverpoolit dëshmoi edhe një herë madhështinë e tij si brenda, ashtu edhe jashtë fushës duke paguar 400,000 CFA (610 euro) për shpenzimet mjekësore, të cilat familja e djalit nuk mund t’i përballonte.

Mane humbi ndjenjat për një kohë të shkurtër pas një përplasjeje me portierin e Kepit të Gjelbër, Vozinho, dhe pasi u largua nga loja, u transferua në spital, shkruan B/R Report Football.

 

Aty ai mësoi për situatën me të cilën po përballej djali dhe familja e tij dhe më pas bëri gjestin bujar.

Djali, i cili u ndihmua nga ylli i Liverpoolit, ishte goditur nga një motoçikletë dhe kishte lëndime në të gjithë trupin që mund t’ia rrezikonin jetën.

Mane, i cili u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Kombeve të Afrikës, që e fitoi me Senegalin, njihet për punën e tij bamirëse.

Në qytetin e tij të lindjes, Bambali, ai financoi më parë ndërtimin e një shkolle dhe një spitali, dhe më parë dhuroi 41,000 funte në luftën kundër coronavirusit në Senegal. /Telegrafi/

Exit mobile version