Edhe këngëtari Sabri Fejzullahu iu është bashkuar artistëve të cilët kanë hapur dyert e shtëpive për atë që i mbijetuan tragjedisë që ndodhi mëngjesin e së martës.
Legjenda e muzikës shqipe përmes një postimi emocional të publikuar në Instagram ka treguar se ai e ka lëshuar shtëpinë e tij për një familje gjashtë anëtarëshe në Prishtinë.
“Ne rrimë gjithmonë pranë trungut tënd Nanë Shqipëri. Me zemër ua lëshoj shtëpinë time një familjes gjashtë anëtarëshe, vëllëzërve e motrave të gjakut tim”, ka shkruar artisti 72-vjeçar.
“Sapo lexova dhe i pashë fotografitë nga tërmeti në Shqipëri, Durrës dhe Thumanë, u trondita shumë. Lus Zotin që të mos ndodhë ndonjë e keqë më e madhe. Të ju ndihmojmë vëllëzërve dhe motrave tona për shtëpitë e dëmtuara”, ka shkruar në tjetrin postim Sabriu.
Në anën tjetër, Capital T, Rina Balaj, Ledri Vula, Gjiko dhe Mozzik janë vetëm një pjesë e estradës që kanë ofruar strehim, ushqim e veshmbathje për personat e prekur nga tërmetet.
Ky i fundit pak më parë paralajmëroi se kishte mbledhur një milion dollarë në bashkëpunim me fondacionin e krijuar nga “Fundjavë ndryshe”.
Vlen të ceket se numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe deri tani bëhet e ditur se janë rreth 600 persona të lënduar, përfshirë edhe dëmet e mëdha materiale. /Telegrafi/