Nga: Ben Blushi
Imagjinoni sikur në lagjen tuaj të jetojë një njeri që di sa libra keni në shtëpi. Ose sikur në një qytet të ekzistojë dikush që di se çfarë libri ka blerë secili në 25 vjetët e fundit.
Në kohët kur interneti nuk ekzistonte, njerëzit që njihnin çdo libër që ishte botuar quheshin bukinistë. Bukinistët dinin tirazhet, shtëpitë botuese, vitin e prodhimit dhe autorët e librave përmendësh. Në një kuptim bukinistët ishin arkiva e shkrimtarëve dhe studiuesve. Ndoshta nuk do kishte shkrimtarë pa bukinistë.
Por, megjithëse me një kujtesë mekanike të pashembullt, si çdo makinë që nganjëherë ndalon, bukinistët kishin një defekt të vogël. Ata njihnin autorët, por jo lexuesit. Ata dinin gjithmonë se në çfarë viti është botuar një libër, por nuk dinin se në çfarë viti e ke blerë ti atë libër. Prandaj, ndoshta bukinistët sot janë shumë të rrallë. Konkurrenca me Google dhe kapriçiot e lexuesve i lanë shumicën e tyre pa punë.
Megjithatë, në Prishtinë ekziston një bukiniste e një race të veçantë. Ajo quhet Sabahete. Ka 25 vjet që punon në librarinë kryesore të Prishtinës, në librarinë “Dukagjini”.
Sabahete apo Sebi siç e quajnë, njeh me emër çdo njeri që ka një libër. Ajo di që kur ke qenë 10 vjeç ke blerë filan libër dhe tani që je martuar dhe je bërë me fëmijë, ke ardhur të blesh një libër për fëmijën tënd. Nuk ka shtëpi në Prishtinë që nuk ka një libër të cilën nuk e ka sugjeruar Sabahetja dhe nuk e ka prekur Sabahetja.
Sabahetja i njeh lexuesit me emër dhe mbiemër, njeh moshën e tyre, adresën, kë kanë komshi, ku punojnë, ajo di ditëlindjet e tyre, kur janë martuar, me kë janë martuar, kur janë të lumtur, kur vuajnë, kur sëmuren dhe kur shërohen. Sabahetja e ndjen kur dikush ikën dhe atëherë mbyll një libër siç mbyllet kapaku i një jete.
Nëse më pyesni nga i di ajo gjithë këto gjëra duhet të njihni Sabaheten. Si një fallxhore ajo e lexon jetën e qytetit nga ritmi i shitjes së librave. Kur shiten pak libra qyteti vuan, është i lodhur dhe i ngrysur. Sabahetja mund të parashikojë një luftë, një ndryshim apo një revolucion nisur nga humori i lexuesve të saj. Sabahetja e di se kur njerëzit nuk lexojnë, e nesërmja është e pasigurt dhe e keqe.
Por, kur njerëzit lexojnë, Sabahetja del tek dera e librarisë, shikon rrugën e mbushur, duke menduar se librat e kanë bërë botën një vend më të mirë. Leximi është besimi i Sabahetes dhe këtë fe ajo ia mëson të tjerëve siç mësohet çdo fe: përmes librave.
Kjo është Sabahetja. Një monument kulture që mbrohet nga lexuesit e saj. Unë nuk e shijoj dot Prishtinën pa Sabaheten. Ajo i ngjan atyre njerëzve që mbajnë në qafë çelësat e qytetit si një stoli dhe kjo është arsyeja pse ia dedikova këtë portret të merituar.