Pas tejzgjatjes së procesit zgjedhorë në Republikën e Kosovës, më në fund edhe institucionet kushtetuese dhe ekzekutive të vendit të dala nga vota e popullit u formuan. Shumë energji u harxhua, por fundja duket se u arrit pajtimi që PDK-ja dhe disa parti shumë të vogla ta mësyjnë punën e qeverisjes së vendit për katër vjetët e ardhshme. Në shikim të parë të qeverisë së re, bien në sy dy dukuri shumë interesante, që nuk mund të kalojnë pa u vërejtur. E para, është se Kryetari i ri i Republikës vjen nga një bashkim i shtatë partive politike dhe organizatave qytetare, por që ka fituar vetëm 7.2% të totalit të përgjithshëm të votave. Kjo dukuri e pranuar nga njerëzit udhëheqës të PDK-së, filloj qysh kur ish Presidenti Ibrahim Rugova i dha z Ramush Haredinajt detyrën e kryeministrit, edhe pse AAK-ja atëbotë kish fituar pikërisht rreth 7% të votave. Kjo është shkelje e verbër me të dyja këmbët e vullnetit të votuesve të PDK-së, që e nxorën këtë parti si subjektin më të madh politik në Kosovë.
Përveç kësaj, një dukuri e këtillë tregon një cinizëm politik të dalë kontrolli, sepse në Kosovë sipas këtij ligji të pashkruar, por që po duket se po vendoset, inkurajon çdo grup njerëzish që jo domosdoshmërisht kanë ide të caktuara politike, apo programore, por se varin shpresat e tyre në miq, shokë, anëtarë të familjes e ndonjë qytetarë tjetër që mund të jetë ndikuar nga bizneset e tyre personale, për të krijuar parti. E pasi t’i marrin 7% të votave e të këmbëngulin në detyrën e kryetarit të shtetit kur koalicionet krijohen. Kur kemi parasysh numrin e vogël të pjesëmarrësve në zgjedhje, një gjë e tillë mundet edhe të funksionoj për grupe njerëzish që kanë në dorë burime financiare, mediatike apo edhe shoqërore.
Një dukuri tjetër po aq shqetësuese, është edhe mbipërfaqësimi që është bërë në qeverinë e Kosovës e subjekteve me identitet të diskutueshëm, dhe me parime katërçipërisht kundërthënëse me ato të partisë më të madhe në Kuvend dhe Qeveri. Kështu si për habi një deputeti të vetëm i jipet një detyre nënkryetari i qeverisë, një ministër dhe tre zëvendës ministra. Kjo çakërdisje politike në vend, mund të çoj në shumëzimin apo dhjetëfishimin e partive në Kosovë, të cilat nën krihet e një partie tjetër mund të marrin pjesë në qeveri me një parti krejt tjetër. Dhe kështu numri i partive me nga një deputet, por që në fakt gëzojnë mbështetje deri në minimumin absolut që do të përbëjnë qeveritë e tjera mund të rritet ndjeshëm.
Dhe çështja tjetër, që është për mendimin tim, edhe më e rëndësishmja, ka të bëj me mbifryrjen e kabinetit qeveritarë. Kosova me 1.7 milion banorë, dhe rreth 11000 km2 ka njëzetetre anëtarë të qeverisë, prej të cilëve pesë syresh janë zëvendëskryeministra. Se di, por kam përshtypjen se nga tollovia e krijuar shumë nga nënkryetarët e qeverisë do të mbesin nën hijen e hirit politik që prodhon çdo qeveri në botë. Hëpërhë, një organizim i tillë i kabinetit qeveritarë mund të jetë dukur i mirë, por logjika e mendimit pragmatik politik dikton që të veprohet sipas mundësive e jo sipas dëshirës. Prandaj shtrohet pyetja, në kohën kur e gjithë bota po mundohet të kursej, a mund të ia ofroj vetes Kosova një qeveri me 23 anëtarë, të gjithë me zyra, administratë dhe shërbime shpenzuese për buxhetin e vendit?
Ja disa shembuj që tregojnë pikërisht të kundërtën. Në muajin Shtator 2010, Spanja riformatizoi qeverinë. Numri i ministrive u ul dhe administrata qendrore u shkurtua fort. Në muajin Qershor 2010, Letonia ngriti qeveri të re. Gjashtë ishin ministritë që u shkrinë dhe u bashkuan për të kursyer para. Kurse në muajin Maj 2010, Britania uli numrin e ministrive dhe shpërbënë më shumë se 120 agjenci të krijuara nga qeveria qendrore në Londër. Me këtë pasqyrë ministrore në Kosovë, as që do të bëhet fjalë për kursime buxhetore. E kur nuk është kështu, atëherë anëtarë të qeverisë ju këshilloj t’i shtrëngoni fort rripat, sepse kaq shumë që jeni, populli pret prej jush efektshmëri maksimale në punë.
(Autori është ligjërues i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Glasgoë-t dhe atë të Neëcastle-s, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studimet e Evropës Lindore në Glasgoë dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)