Telegrafi

Sa kushtoi zbukurimi për vitin e ri në Maqedoni?

Sipas analizës së Qendrës për komunikime qytetare, Bashkia e Shkupit dhe 20 komuna të tjera, për zbukurimet e vitit të ri kanë shpenzuar gjithsej 675 mijë euro.

Pas vitit 2017 kur shpenzimet për zbukurim për vit të ri kanë qenë më të larta, viti 2020 ka renditet e dyta për nga shpenzimet e mëdha, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Të dhënat zbulojnë se për vitin e ri 2020 me zbukurime e pritën Bashkia e Shkupit dhe 20 komuna dhe për këtë qëllim janë shpenzuar 675 mijë euro. Krahasuar me vitin e kaluar është ulur numri i komunave që zbukurojnë, por është rritur vlera e tenderëve”, thuhet në analizën e qendrës.

Madje 91% e parave për zbukurimin e rrugëve dhe shesheve për vitin e ri përfundojnë në dy firma të Shkupit.

Rreth 490 mijë euro apo 73% e parave për zbukurim janë shpenzuar në Bashkinë e Shkupit dhe komunat e saja si Komuna Qendër, Aerodrom, Karposh, Çair, Butel, Gazi Baba dhe Shuto Orizare. Vetëm Bashkia e Shkupit për zbukurim në hapësira publike ka shpenzuar rreth 285 mijë euro.

Pas Bashkisë së Shkupit, marrëveshjet më të mëdha për zbukurim i kanë komunat e Shkupit si Qendra dhe Aerodromi, duke lënë pas Karposhin dhe Strumicën të cilët vjet ishin në dy vendet e para./Telegrafi/