Site icon Telegrafi

Sa janë të sigurta kursimet pensionale në Kosovë?

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, gjatë vitit 2018, ka shënuar rënie të performacës prej 5.2 për qind, çka ka ndikuar që humbjet të shkojnë deri në 84.7 milionë euro. Bilanci negativ gjatë vitit 2018 ka prekur të gjitha llogaritë e kontribut-paguesve.

Shumë nga kontribut-paguesit e kishin kuptuar se kanë humbur nga kursimet e tyre gjatë vitit të kaluar, vetëm kur në adresat e tyre ka arritur pasqyra e llogarisë.

Blerta është një qytetare nga Prishtina, e cila tregon se në pasqyrën që ka pranuar nga Fondi ka vërejtur se në llogarinë e saj janë në gjendjen minus, më shumë se 700 euro.

“Nuk po e kuptoj mënyrën e humbjeve të parave të mia, por është vlerë shumë e lartë. Madje tashmë po dyshoj në sigurinë e parave pasi që deri në moshën e pensionit çfarë do të ndodh me llogarinë time në trustin e kursimeve?”, thotë ajo.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Trustit të Pensioneve nuk kanë qenë të gatshëm të japin ndonjë përgjigje lidhur më humbjet apo edhe rikuperimin e investimeve. Por, në faqen zyrtare të këtij institucioni, thuhet se në dy muajt e parë të këtij viti, kthimi bruto nga investimet ka shkuar rreth 90 milionë euro. Kjo shifër, besohet se ka kompensuar plotësisht apo edhe ka tejkaluar rënien e vlerës së investimeve gjatë tre muajve të fundit të vitit 2018.

Edhe ekspertë të çështjeve financiare, thonë se mjetet e qytetarëve mund të rikuperohen, por shqetësuese, sipas tyre, mbetet fakti që kursimet e kontribut -paguesve vazhdojnë të mbahen në tregje të ndryshme ndërkombëtare.

Mjetet e Fondit të Kursimeve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të ndryshme të Evropës.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se Fondi i Kursimeve duhet të jetë më i kujdesshëm në investimet e kontribut-paguesve të qytetarëve të Kosovës.

“E njëjta mund të rikuperohet, kjo humbje në tre mujorët e ardhshëm mund të rikthen në llogari mjetet e humbura me rritjen e vlerës së investimeve të Trustit. Por, do të ishte mirë që Trusti të zgjedh kompani me risk më të ulët, me qëllim që në të ardhmen mos të përsëritet tre mujori i fundit i vitit 2018”, thotë Bektashi.

Ai vlerëson se duhet të bëhen ndryshime në ligjet aktuale në mënyrë që mjetet e trustit më shumë të investohen në tregun e Republikës se Kosovës, ku beson se siguria nga humbjet do të jetë shumë më e vogël se sa në tregjet evropiane apo amerikane.

“Jam ithtar i asaj që këto ndryshime të bëhen sa më shpejtë. Jo ndoshta të gjitha mjetet, një pjesë ose gjysma e shumës së përgjithshme mund të mbesin në tregjet e huaja, por gjysma e këtyre mjeteve duhet të investohen në Republikën e Kosovës me vendime të organeve shtetërore me qëllim që të rritet oferta e parasë në Republikën e Kosovës”.

“Gjithashtu besoj se mundësitë e humbjes në tregun vendor do të jenë shumë më të vogla, kurse përfitimet nga përdorimi i parave të të punësuarve në sektorin publik dhe privat do të sjellin të ardhura, përfitime më të mëdha sesa në tregjet e jashtme. Automatikisht do të ndikohet edhe në uljen e normave të interesit në bankat komerciale”, thotë Bektashi.

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës aktualisht menaxhon me rreth 1.8 miliard euro me rreth 600 mijë kontribuues.

Të gjithë të punësuarit (e regjistruar) në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht pesë për qind paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind nga paga e të punësuarit.

Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version