Telegrafi

Sa janë gjasat që Hansi Flick të bëhet trajner i Barcelonës?

Trajneri në ikje i Bayern Munich, Hansi Flick është duke u parë si zëvendësim për Ronald Koeman te Barcelona.

Megjithatë, ekziston një problem i madh për Joan Laportan, dhe ai është se Flick tashmë ka rënë dakord të bëhet përzgjedhës i ekipit kombëtar gjerman kur Joachim Low të largohet nga puna pas Kampionatit Evropian të kësaj vere.

Një avantazh kryesor për Barcelonën është se, ai nuk ka asnjë marrëveshje kontraktuale me Shoqatën e Futbollit Gjerman (DFB), ka shkruar RAC1.

Sidoqoftë, 56-vjeçari i ka dhënë fjalën DFB dhe do të duhej një ofertë shumë e veçantë për ta bërë që ta thyej marrëveshjen.

Emri i Flick ka dalë në ballë të bisedave të bordit të Barcelonës pasi ata nuk mendojnë se është koha e duhur që ta kthejnë Xavi Hernandezin, ndërsa duket që për ish yllin e klubit nuk ka asnjë shans që të jetë trajneri i Blaugranave sezonin e ardhshëm .

Opsionet e tjera konsiderohen gjithashtu shumë të komplikuara, pasi Erik ten Hag së fundmi rinovoi me Ajaxin, ndërsa sjellja e Jurgen Klopp nga Liverpooli do të ishte shumë e shtrenjtë për Barcelonën në këtë moment.

Por në anën tjetër Ronald Koeman mbetet trajneri i Barcelonës dhe atij nuk i është thënë që ai nuk do të jetë sezonin e ardhshëm, sepse nuk është marrë asnjë vendim.

Barcelona ka shumë punë për të bërë këtë verë dhe finalizimi i trajnerit të tyre për sezonin e ardhshëm duhet të jetë një nga pjesët e para për të cilat duhet të  kujdeset, Joan Laporta. /Telegrafi/