Edhe pse shqiptarët po përballen me presionin e vazhdueshëm për bisedime me palën serbe, duket se po ka sukses influenca e diplomacisë ruse ndaj BE-së, sidomos në shtetet të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, edhe pse të gjitha shtetet formuese të ish Jugosllavisë, përveç Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë si përgjegjëse e shumë luftërave të përgjakshme, ku humbën jetën afër gjysmë milioni njerëz, kanë pranuar realitetin e ri, Republikën e Kosovës.
Si po ndodh kjo është tërësisht e pakuptueshme, meqë formula ruse nënkupton ndërrimin e tezave atë të shfajësimit historik të palës serbe që shkatërrojë dhe dogji Kosovën, edhe sot Serbia po luan me kufomat shqiptare, koncesionet e tyre politike janë zbulimi i varrezave masive në territorin serb, ngaqë serbët ishin ata që i shpallën luftë Bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO-s, duke iniciuar dhe ngritur procedurën gjyqësore për ndjekje (sigurisht ju kujtohet) ndaj liderëve botëror z.Klinton, z.Bler, Schreder…, dhe shumë liderëve botëror që dënuan politikën shfarosëse të "gospodarëve të krimit" (deri më tash nuk ka ndonjë informatë për tërheqjen e këtij procedurimi "marroq" gjyqësor), edhe për faktin që shqiptarët janë të vetëdijshëm dhe unik se nuk ka "negociata" lidhur me statusin politik dhe diplomatik të Kosovës.
Serbia me diplomacinë e saj dinake dhe ngatrresare, arriti të kontestojë për një kohë pavarësinë e Kosovës në GJND, duke lënë të hapura bisedimet eventuale për të shtuar më vonë presionin diplomatik për koncesione të reja.
Fundja, çfarë rëndësie kanë bisedimet e fshehta apo të hapura kur serbët nuk pranojnë institucionet legjitime të Kosovës, bile nuk pranojnë as bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe për zgjidhjen e problemeve të tyre brenda institucioneve të zgjedhura nga vota e popullit, dhe si do të shtrijë ndikimin pushteti qendror, kur deri më tash nuk ishte në gjendje të shpartallojë grupacionet (jo institucionet paralele) politike paramilitare në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat serbe, të cilat kanë të drejtën e ndërtimit të infrastrukturës gjyqësore-të entitetit serb, policinë etnike (të cilat janë institucionet themelore të shtrirjes së pushtetit territorial-jo kulturor), ngaqë realizimi i të drejtës për arsim dhe shëndetësi nuk është edhe aq i rëndësishëm, meqë edhe ashtu do të bëhen korrigjime në sistemin arsimor dhe atë të shëndetësisë, duke balancuar shërbimet në sektorin publik dhe atë privat (ku do të rritet autonomia e institucioneve arsimore dhe shëndetësore, dhe do të vendoset një kontroll më i madh i qytetarëve mbi këto institucione-jo i partive politike, ngaqë bordet e shkollave duhet të zgjidhen drejtpërdrejtë nga qytetarët përmes votës së lirë, jo të imponohet zgjidhja e tyre nga ministritë, por nga ato duhet të bëhet kontrolli në zbatimin e ligjshmërisë, apo aplikimi i ndonjë modeli të përafërt që do të ketë shtrirje në tërë Kosovën, jo vetëm në "enklavat" serbe që u zyrtarizuan ligjërisht si komuna, produkt i marrëveshjes Ahtisaari i inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës, meqë edhe ashtu nuk po përfaqësohet fare vullneti politik i popullit, përkundrazi nëpërkëmbet.
"Gëzimi" i përçudshëm i shefit të diplomacisë kosovare Skender Hysenit, i cili ishte nikoqir i takimit në Prishtinë, më 12 maj 2010, me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Gordon, sipas BBC, tha se Prishtina kishte mirëkuptim për problemet me të cilat do të përballej Serbia nëse do ta njihte formalisht Kosovën si shtet. “Kjo është arsyeja pse ne nuk insistojmë që Republika e Serbisë të njohë Kosovën zyrtarisht, por mosnjohja zyrtare nuk duhet ta pengojë Serbinë që me Kosovën të bisedojë si me një fqinj, si me një vend me të cilin është e detyruar të jetojë në kufi për çështje të shumta të interesit të ndërsjellë”, tha ai.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, sipas ministrit të Jashtëm kosovar, do të çonte mesazhe pozitive edhe në Ballkanin Perëndimor si dhe në strukturat e BE-së dhe NATO-s. Ai tha se Prishtina zyrtare nuk është e interesuar që anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian të kushtëzohet me njohjen e Kosovës, por “Kosova do të kushtëzojë që sovraniteti dhe integriteti territorial i saj të mbrohet dhe të ruhet patjetër”.
“Kosova është e gatshme që të ulet me Serbinë në çdo kohë që kërkohet nga ne për të biseduar për tema të ndryshme që do të sillnin një frymë të re për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ministri Hyseni. Ai po ashtu në takimin e përbashkët para mediave konstatoi se Kosova nuk do të influencojë, as do të bëjë presion në Republikën e Serbisë gjatë fazës së kandidimit dhe anëtarësimit në BE.
Është për të ardhur keq që ministri i jashtëm i Kosovës, nuk përmendi agresionin institucional të Serbisë, as okupimin klasik territorial të Kosovës Veriore nga grupet paramilitare dhe administrata shtetërore serbe. Takimi mbahej në kohën kur një lider serb Tomisllav Nikoliq shkelte territorin e Kosovës i papenguar dhe bashkëshoqërohej nga pjesëtarë të sigurimit serb. Pse ministri i Jashtëm i Kosovës fsheh rastet eklatante të një agresioni permanent dhe pse nuk i ngre këto probleme në nivele më të larta, për të adresuar shqetësimet pranë komisionit për politikë të jashtme të BE-së, mbetet e paqartë, aq më keq ai arsyeton Republikën e Serbisë për mospranimin e Republikës së Kosovës, ai kështu bëhet propagandues i politikës destruktive të homologut të tij Jeremiq, edhe më keq kur ai vet e din që pranimi eventual i Serbisë në BE, pa Kosovën do të thotë përjashtim nga negociatat i shtetit më të ri, ngase pranimi në BE është i kushtëzuar me koncensus dhe se mos dakordimi i ndonjërit nga shtetet përjashton mundësinë e pranimit – a nuk është kokëfortë argumenti se mospranimi i pesë shteteve të BE-së ka vështirësuar edhe bashkëpunimin me BE, por edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Përkundruall ministrit Skender Hyseni ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon ishte shumë më i qartë, ai ka nxitur Prishtinën dhe Beogradin që të fillojnë sa më shpejt bisedimet për çështje praktike, ndërsa ka përjashtuar mundësinë që çështja e statusit të Kosovës të ri-negociohet. Zyrtari amerikan që po qëndron në Prishtinë pasi më parë vizitoi Beogradin, tha se pala kosovare dhe ajo serbe duhet të fillojnë përpjekjet për të zgjidhur dallimet ekzistuese mes tyre në rrafshin teknik.
“Ne besojmë se çështja e statusit dhe vendosjes së kufijve nuk ka përse të hapet dhe fuqishëm kundërshtojmë çfarëdo bisedimesh për këto çështje, por kjo nuk do të thotë se nuk ka hapësirë për të diskutuar çështje praktike që nga energjetika, gjykatat, personat e zhvendosur dhe të zhdukurit”, tha Gordon. Ai tha se u takon Prishtinës dhe Beogradit që të vendosin kur dhe si do t’i fillojnë këto bisedime, ndërsa ofroi gatishmërinë e Washingtonit për t’i lehtësuar ato. Zyrtari i lartë amerikan nuk deshi të thotë nëse anëtarësimi i Serbisë në BE do të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por shfaqi bindjen se mosmarrëveshjet mes dy vendeve duhet të zgjidhen para se ato të synojnë integrimet euro-atlantike.
Nuk e di ministri Hyseni përse po aranzhohen këto bisedime? Apo bisedimet që janë zhvilluar deri më tani ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it me palën serbe duhet të dakordohen disi, të një fotografimi të përbashkët dhe, ajo që ka filluar do të përmbyllet me dorështërngim të duarve apo me ndonjë përshëndetje kurtoazie, jo për të fituar gjë shqiptarët, por për t’u detyruar që të nënshkruajnë paqësisht copëtimin e ardhshëm të Kosovës, dhe krijimin e një situate të re në terren "real politik" model i Kisingjerit për zgjidhjen e konflikteve, meqë ndërkombëtarët BE-ja dhe amerikanët nuk janë të gatshëm të zvarrisin zgjidhjen funksionale të shtetit të Kosovës, që do t’u kushtonte shumë shtrenjtë dhe kohësisht do të zgjaste shumë, meqë deri më tash nuk ka pasur përgatitje serioze për gjetjen e formulës adekuate që do të plotësonte kërkesat e shqiptarëve, prandaj ata duke pretenduar që çështja e Kosovës të trajtohet si zgjidhje e veçantë, jo universale, qëllimisht nuk duan t’u ekspozohen debateve të stërzgjatura argumentuese: sovranitetit dhe vetëvendosjes, që patjetër do të kushtëzonte organizimin e konferencës ndërkombëtare për Kosovën, që do të kushtonte shumë shtrenjtë, por edhe për faktin se Kosova dhe amerikanët-NATO-ja, fitoi luftën.
Në "hard talks" as që po përmendet lufta çlirimtare e UÇK-së, sigurisht jo për të degraduar statusin politik dhe diplomatik të Kosovës, përkundrazi për ta avancuar, prandaj detyrimisht duhet të imponohet zgjidhja përfundimtare që shprehë vullnetin e shumicës, por edhe të politikës shtetformuese, që do të ishte shumë më e lehtë, më e lirë, dhe shumë më e arsyeshme, ngaqë më vonë detyrimisht do t’i shtrëngonte shqiptarët që të pranojnë realitetet e reja gjatë fazës së implementimit të bisedimeve. Është i çuditshëm ky përbaltim i vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës, kur asgjë nuk ka ndryshuar në agjendën e Këshillit të Sigurimit, nuk ka ndryshuar fare rezoluta 1244 dhe çdo firmosje e tashme në tavolinën e bisedimeve do të ishte në përputhje me rezolutën në fjalë, ku Kosova (edhe pse formalisht) prejudikohet si territor që është nën juridiksionin ish-Jugosllav, tash serb. Si duket këtë nuk e kanë të qartë as pozita e as opozita, të cilat shtyhen në mes vete për të fituar besimin e ndërkombëtarëve duke harruar besimin dhe kryerjen e detyrave të shtëpisë ndaj qytetarëve të cilët i kanë votuar.
Në qoftë se është pranuar Kosova si e pavarur, pse nuk i propozohet Këshillit të Sigurimit që të modifikohet rezoluta 1244, dhe të sponsorohet një rezolutë e re me të cilën do të definohen qartë dhe të mbrohen kufijtë e Kosovës (që sipas Kushtetutës së 74-ës, ishin kufij të brendshëm në relacion me njësitë tjera ish federale, tash shtete të pavarura) dhe që ata kufij ndërkombëtarisht janë kufij të jashtëm, formulë e pranuar dhe e zbatuar deri më tash për ish republikat jugosllave tani shtete të pranuara ndërkombëtarisht në OKB, kështu do të zvogëlohej pasiguria dhe skepticizmi i shqiptarëve që nuk do të rrudhet territori, dhe se çfarëdo marrëveshje eventuale dhe decentralizimi do të ishte e vlefshme për rregullimin e brendshëm të pushtetit lokal, ngase çdo dokument që nënshkruhet në prezencën e ndërkombëtarëve detyrimisht duhet të respektohet. Si pra të pranohet fakti që shqiptarët të cilët kanë fituar të drejtën ndërkombëtare të tapisë mbi territorin e Kosovës, të pranojnë të copëtojnë tokat në të cilat jetojnë dhe janë të vendosur shqiptarët? Si të pranohet nënçmimi që shumë serbë që vranë dhe masakruan shqiptarët, të rikthehen në Kosovë me bekimin e përfaqësuesve shqiptarë, bile duke mos pranuar të kërkojnë falje njerëzore për vuajtjet që ua shkaktuan shqiptarëve.
Shpresa në sytë e shqiptarëve të Kosovës të drejtuar nga zyrat e ndërtesës shumëkatëshe të OKB-së janë shpresa dhe zhgënjimi i shumë popujve në botë, meqë e drejta për të vendosur për të ardhmen e popujve është rezervuar vetëm për kombet-shtet, duke anashkaluar formulën e multietnicitetit me të cilën eksperimentojnë me të drejtat e shqiptarëve duke aplikuar standarde të dyfishta, ngase kjo formulë do të duhej të implementohej edhe në Luginën e Preshevës dhe në Malësinë e Madhe dhe në Ulqinin me rrethinë, në Mal të Zi.