Pasuria e presidentit rus Vladimir Putin ka qenë prej kohësh objekt spekulimesh dhe thashethemesh.
Ai ka një pagë zyrtare prej 140,000 dollarë në vit dhe një apartament zyrtar relativisht modest, raporton Business Insider, transmeton Telegrafi.
Por një sërë asetesh shumë të vlefshme, duke përfshirë superjahte dhe një pallat të madh buzë Detit të Zi, janë lidhur me të përmes strukturave komplekse financiare.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi ka publikuar së fundmi të ardhurat e presidentit rus, në prag të zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në Rusi.
Sipas të dhënave, të ardhurat totale të Putinit për gjashtë vjet arritën në 754,325.
Siç bëhet e ditur, Putin zotëron një apartament (77 metra katrorë) dhe një garazh (18 metra katrorë) në qytetin Shën Petersburg të Rusisë.
Përveç kësaj, ai ka tre vetura pasagjerësh – GAZ M21, prodhim i vitit 1960, GAZ M21, i prodhuar në vitin 1965, Niva, i prodhuar në vitin 2009 dhe një rimorkio Skif, e prodhuar në vitin 1987.
Presidenti rus gjithashtu thuhet se ka 10 llogari bankare që përmbajnë 607,289 dollarë. Ai gjithashtu zotëron 230 aksione të PJSC Bank në Shën Petersburg.
Putini siç thuhet, ka gjithashtu një apartament në Moskë (153.7 metra katrorë) dhe një vend parkimi (18 metra katrorë) në Shën Petersburg për përdorim të pacaktuar.
Ndonëse këto të dhëna janë thjesht publike, pak dihet për pasurinë e vërtetë të presidentit rus. Ai besohet se mban miliarda dollarë pasuri personale, pak dihet rreth shumës së saktë ose se ku mund të jetë ajo pasuri.
Putini nuk ka lënë thuajse asnjë gjurmë letre për asetet e tij – kryesisht pronat – të cilat janë të fshehura pas skemave komplekse financiare të organizuara nga të besuarit e tij, sipas një raporti “Panama Papers” të vitit 2016 nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues.
Ndër lukset që janë lidhur me miqtë dhe familjen e Putinit, por asnjëherë drejtpërdrejt me të, janë një mega-jaht prej 100 milionë dollarësh dhe një pallat i Detit të Zi që thuhet se është ndërtuar për përdorim personal të Putinit. /Telegrafi/