Telegrafi

Sa do të zbatohet në praktikë Ligji i punës

Ai ka thënë se miratimi i Ligjit të punës është një moment me rëndësi në realizimin e kërkesave të vazhdueshme të punonjësve. “Tani kemi shansin që, përveç këtij ligji, të vendoset një rregull në punë dhe në procesin e punësimit në përgjithësi, ndonëse punonjësit do të kenë edhe shumë halle, shumë probleme, derisa ky ligj, por edhe të tjerët të gjejnë realizimin e mirëfilltë të tyre”, tha Xhaferi.

Por, Ali Dragusha, përfaqësues i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës (KSLK), e konsideron të vonuar miratimin e këtij ligji. Ai shfaq drojën se miratimi në këtë kohë ka prapavijë politike.“Thjesht, kemi drojën se nuk do të implementohet ashtu siç është fuqizuar, duke pasur parasysh përvojat që kemi nga kontrata e përgjithshme kolektive, e cila asnjëherë nuk ka pasur fatin që të zbatohet”, thekson Dragusha.
Ramadan Berisha, punëtor në kompaninë “Dërvisholli”, pret që Ligji i punës t’u sigurojë punëtorëve të drejtat elementare. “S’ka pasur ligj deri më tash. Tash do t’i kërkojmë të drejtat dhe besojmë se do të na i japin sigurimin, trustin pensional”, shprehet ai.

Por, Agron Osmani, punëtor në kompaninë “Dekoral”, shprehet skeptik sa i përket zbatimit të Ligjit të punës. “Presim se do të përmirësohet gjendja, por nuk di. Prapë, nuk po besojmë deri më tash, katastrofë”, thotë ai.

Mosmiratimi i ligjit rrezikon pjesëmarrjen në zgjedhje. Sindikalisti Ali Dragusha (KSLK), miratimin e Ligjit të punës në aspektin formal e vlerëson si lëvizje pozitive, por edhe ai shpreh dyshime sa i përket aspektit esencial dhe zbatimit të tij.

“Jemi skeptikë, ende nuk e dimë se a kanë shkuar propozimet tona, që ne i kemi dhënë si Konfederatë e Sindikatave të Lira të Kosovës. Nuk e dimë se a është marrë parasysh ndonjë prej atyre 26 pikave që ne i kemi dhënë”, thotë ai.

Por, Xhafer Xhaferi, nga BSPK-ja, shpreh bindjen se miratimi i Ligjit të punës do të sjellë rregull. “Normalisht, ky ligj i miratuar nuk është ndër më të mirët. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi pasur shumë kërkesa e që nuk kanë shkuar. Ende nuk i kemi të gjitha amendamentet që përfshijnë një pjesë të kërkesave tona” deklaron Xhaferi.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kishte paralajmëruar se nëse gjatë këtij viti, Kuvendi i Kosovës nuk miraton Ligjin e punës, BSPK-ja do të shikojë mundësitë për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme. /Rel/Telegrafi/