Site icon Telegrafi

RYCO shpërbleu gazetarët e rinj si raportues të paqes në Kosovë përmes Programit të Transmetuesve të Paqes

Foto: Ridvan Slivova

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), në bashkëpunim me Deutsche Welle (DW), dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), përfundoi me sukses ciklin e dytë të programit “Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i Gazetarëve si Raportues të Paqes”, në Kosovë.

Programi ka trajnuar 20 gazetarë nga media të ndryshme në temat e gazetarisë tranzicionale, gazetarisë konstruktive, verifikimit të fakteve dhe lajmeve të rreme. Krahas trajnimit, gazetarët e rinj punuan storie me temat e lartpërmendura me mentorë nga Deutsche Welle.

Tre storiet më të mira u shpërblyen gjatë konferencës përmbyllëse “Gazetarët si katalizatorë të ndërtimit të paqes në shoqëritë/zonat pas konfliktit”, organizuar dje në Prishtinë.

Foto: Regional Youth Cooperation Office – RYCO/Facebook

Dyshja, Albulena Mavraj dhe Butrint Avdyli fituan një çmim me video-storjen e tyre të titulluar “Hoteli i bashkëjetesës”. Besian Beha u shpërblye për tregimin e tij “Hagë: Vizat vështirësojnë vizitat e familjarëve”, dhe Mihane Hoxha për artikullin me titull “Regjimi i pakuptimtë i vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës”.

Lexo po ashtu Redaktori i Telegrafit, Butrint Avdyli dhe gazetarja Albulena Mavraj shpërblehen me çmimin 'Video-storja më e mirë' nga RYCO dhe DW

Udhëheqësja e zyres lokale të RYCO-s në Prishtinë, Krenare Gashi-Krasniqi, inauguroi konferencën dhe theksoi rolin jetik të gazetarisë në promovimin e paqes dhe mirëkuptimit në shoqëri. Ajo tha se qëllimi i programit Peace Badcasters është të ndërtojë një brez të ri gazetarësh që janë të vetëdijshëm për rolin që luajnë në promovimin e pajtimit në shoqëritë pas konfliktit, por gjithashtu kanë kapacitete të mjaftueshme për ta ushtruar atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Gazetarët janë me të vërtetë katalizatorë për paqen dhe pajtimin në shoqëritë pas konfliktit duke hedhur dritë mbi histori të patreguara, duke u dhënë zë perspektivave të margjinalizuara dhe duke nxitur dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme”, tha Gashi Krasniqi.

Foto: Regional Youth Cooperation Office – RYCO/Facebook

Krahas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, gjatë konferencës përmbyllëse u organizuan dy panele të diskutimit.

Paneli i parë “Perspektiva e gazetarëve për raportimin nga situatat konfliktuale”, u moderua nga Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacioneve të Gazetarëve të Kosovës. Paneliste ishin gazetarja nga Klan Kosova, Qëndresa Tërshani, gazetarja nga Afganistani, Nadia Gulabzada, dhe gazetarja nga Ukraina, Anastasiia Poia.

Paneli përbëhej nga gazetare që kanë përvojë të raportimit nga zonat e konfliktit, prandaj ato ndanë me publikun përvojat personale dhe perceptimin e përgjithshëm të rëndësisë së rolit të gazetarit dhe rreziqeve të një profesioni të tillë.

Foto: Regional Youth Cooperation Office – RYCO/Facebook

Gazetarja Tërshani, njëherësh theksoi rëndësinë e pasqyrimit të situatës ashtu siç është, e jo duke qenë të njëanshëm:

Në situata të tilla të tensionuara, nuk është në vendin tonë (gazetarët) të ballafaqohemi me protestuesit, as të sulmojmë dikë. Ne duhet të bëjmë çmos për të punuar me këto situata në një mënyrë shumë të qetë. Për shembull, kohët e fundit ndodhi që ndërsa bëhej një reportazh drejtpërdrejt dhe thoshte se protestuesit janë të qetë, pikërisht atëherë ndodhi diçka që ndryshoi gjithë narrativën. Është e rëndësishme që gazetarët të përshkruajnë në situata të tilla vetëm atë që po ndodh, të mos jenë të njëanshëm dhe të nxjerrin përfundime.

Një fokus i veçantë ishte roli i madh i gazetarëve në ndjenjën e sigurisë që ata duhet të transmetojnë te njerëzit që shikojnë/dëgjojnë gjatë raportimit live.

Paneli i dytë “Roli i gazetarëve në promovimin e drejtësisë tranzicionale në shoqëritë pas konfliktit”, u moderua nga Vjosa Çerkini, gazetare në Deutsche Welle. Panelistët diskutuan mbi aspektet institucionale dhe mediatike të drejtësisë tranzicionale, duke theksuar rolin vendimtar që luajnë gazetarët në promovimin e saj.

Në këtë diskutim morën pjesë: Kreshnik Gashi redaktor në BIRN, udhëheqës i Divizionit të Drejtësisë Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, Baki Svirca, dhe redaktorja në transmetuesin publik (RTK), Aleksandra Jovanoviç.

Foto: Regional Youth Cooperation Office – RYCO/Facebook

Ata vënë theksin tek rëndësia e drejtësisë tranzicionale dhe se si gazetarët janë një nga faktorët kyç që mund të ndihmojnë për sigurimin e kësaj drejtësie.

U arrit në përfundimin se rajoni do të përfitonte nga vënia e më shumë përpjekjeve për të punuar drejt ballafaqimit me të kaluarën, ndërtimin e paqes dhe vendosjen e drejtësisë.

Gashi theksoi se duhet të trajtohen të gjitha dimensionet e drejtësisë tranzicionale.

Foto: Regional Youth Cooperation Office – RYCO/Facebook

Të gjitha sfidat që kemi diskutuar sot, si forum, duhet të adresohen në buxhet. Sepse në fund të ditës duhet të vendoset se çfarë buxheti do të ndahet për trajtimin e të gjitha dimensioneve të drejtësisë tranzicionale. Tani jemi vetëm në fazën e hartimit të strategjisë dhe na pret shumë punë.

Programi “Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i Gazetarëve të Rinj si Gazetarë të Paqes”, zbatohet nga Zyra Lokale e RYCO-s në Kosovë në partneritet me Deutsche Welle-n, dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Cikli i dytë u organizua nga muaji prilli i vitit 2022 deri në prill të vitit 2023, dhe u fokusua në forcimin dhe përmirësimin e aftësive dhe njohurive për standardet cilësore të gazetarisë në fushën e dialogut ndërkulturor dhe gazetarisë tranzicionale në Kosovë, duke marrë parasysh verifikimin e fakteve dhe duke përfshirë gazetarinë konstruktive në përmbajtjen e tyre.

Foto: Ridvan Slivova
Exit mobile version