Site icon Telegrafi

Ryan: Trump duhet të kuptojë që Rusia nuk është aleat i Amerikës

Donald Trump është gjendur në “vijën e zjarrit” pas takimit me Vladimir Putin.

Një rrebesh kritikash u përplas mbi Presidentin amerikan pasi i doli në mbrojtje Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Në samitin e Helsinkit, shefi i Shtëpisë së Bardhë i kundërshtoi pretendimet e agjensive amerikane të inteligjencës, duke thënë se Moska nuk kishte arsye që të përfshihej.

I menjëhershëm ishte reagimi i republikanit më të rëndësishëm në Kongres, kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili tha se Presidenti duhet ta kuptojë që “Rusia nuk është aleati ynë”.

Një tjetër republikan, senatori John McCain tha se kjo ishte një performancë e turpshme.

Për liderin demokrat të Senatit, Chuck Schumer veprimi i Trumpit ka forcuar kundërshtarët dhe ka dobësuar mbrojtjen dhe aleatët e Amerikës.

Putini vetë padyshim bëri atë që ka bërë prej kohësh, e mohoi ndërhyrjen dhe pas bisedimeve dyorëshe me dyer të mbyllura, Trumpi deklaroi se e beson fjalën e tij. Ai po kështu fajësoi gabimet e paraardhësve për faktin që sot marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një pikë tejet të ulët.

Si për të treguar se nuk ka gjë për të fshehur, shefi i Kremlinit u ofrua t’i lejojë hetuesit amerikanë që të vizitojnë Rusinë për të marrë në pyetje oficerët e shërbimeve sekrete, të akuzuar për hakerimin e fushatës së Hillary Clinton.

Exit mobile version