Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës dhe misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Gjatë një tryeze diskutimi me gazetarë në Prishtinë më 11 mars, pas takimeve me krerët shtetërorë, Rutte theksoi se misioni i NATO-s në Kosovë është kyç për sigurinë dhe stabilitetin e të gjitha komuniteteve. Megjithatë, ai nënvizoi se një zgjidhje e qëndrueshme paqësore duhet të jetë politike.
“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti amerikan, Donald Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, deklaroi Rutte.
Debati mbi rishqyrtimin e pozicionit amerikan në Evropë është intensifikuar pas deklaratave të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt.
Hegseth kishte theksuar se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent të zgjasë përgjithmonë.
Nga afër 100.000 trupa amerikane të vendosura në Evropë, rreth 600 janë të stacionuar në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it, i cili numëron gjithsej rreth 4.600 trupa.