Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se pret që pas zgjedhjeve në Kosovë të ketë një Qeveri stabile dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin.
Rutte këtë e ka thënë në një konferencë me gazetarët, ku ka folur për takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare e cila zhvillohet të enjten në selinë e kësaj aleance në Bruksel.
“Ky ka qenë një proces demokratik. Ajo që ne kuptojmë është se i kemi rezultatet fillestare, por ende po vazhdon numërimi i votave dhe do t’i kemi edhe rezultatet finale. Dhe, bazuar në rezultatet deri tash duket se do të ketë një qeveri të koalicionit. Natyrisht, ne sigurojmë që do të punojmë me këdo që do të udhëheqë me vendin. Dhe natyrisht u dëshirojmë të gjithë politikanëve gjithë të mirat në drejtimin e hapësirës politike dhe që të sigurojnë që të ketë një qeveri stabile sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Rutte. /Telegrafi/