Koordinatori i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Shtypit tha se sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që të gjithë ta përkrahin lirinë e shtypit.
Sipas Freedom House, në vitin 2015, liria e shtypit ka rënë në pikën më të ulët në 12 vitet e fundit pasi akterë të ndryshëm kriminelë dhe terroristë kërkojnë heshtjen e mediave, pavarësisht çmimit, në luftën e tyre për pushtet.
“Këtu në Kosovë jemi me fat që kemi një shtyp të cilit i dëgjohet zëri; megjithatë, edhe këtu, Freedom House e konsideron shtypin të jetë vetëm pjesërisht i lirë. Në të vërtetë, kur partneri ynë i ngushtë, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës raporton se ka pasur 27 kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve në një vit të vetëm (2015), atëherë mendoj se mund të pajtohemi se ka ende shumë hapësirë për përmirësim”, tha Russell.
Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për fuqizimin e rolit tuaj në ndërtimin e një shoqërie plotësisht të hapur, demokratike dhe të lirë në Kosovë”, shtoi më tutje, Russell. /Telegrafi/