Telegrafi

Russell Brand akuzohet për përdhunim, sulm seksual dhe abuzim emocional nga katër gra

Aktori dhe komediani Russell Brand është akuzuar për përdhunim, sulm seksual dhe abuzim emocional gjatë një periudhe shtatëvjeçare.

Katër gra kanë supozuar se janë sulmuar seksualisht midis viteve 2006 dhe 2013, kur ai ishte në kulmin e famës së tij, duke punuar për BBC Radio 2 dhe Channel 4 si dhe duke luajtur në filma të Hollywoodit.

Ai gjithashtu përballet me akuza për sjellje kontrolluese, abuzive dhe grabitqare, pas një hetimi të përbashkët nga mediat: The Sunday Times, The Times dhe Channel 4 Dispatches, shkruan DailyMail.

Brandi i mohon fuqishëm akuzat dhe në një video të publikuar në internet të premten, deklaroi se të gjitha marrëdhëniet e tij kanë qenë konsensuale, përpara se të akuzonte mediat për një “sulm të koordinuar”.

Në klip, 48-vjeçari pohoi se po përballej me një “litani sulmesh jashtëzakonisht të egra dhe agresive”.

“Mes kësaj litanie sulmesh befasuese, mjaft baroke, janë disa akuza shumë serioze që unë absolutisht i hedh poshtë”, tha ai.

“Këto akuza kanë të bëjnë me kohën kur punoja në mediat kryesore, kur isha në gazeta gjatë gjithë kohës, kur isha në kinema dhe siç kam shkruar gjerësisht në librat e mi, kam qenë shumë, shumë i shthurur”.

Ai vazhdoi: “Tani gjatë asaj kohe shthurjeje, marrëdhëniet që kisha ishin absolutisht, gjithmonë konsensuale. Unë kam qenë gjithmonë transparent për këtë atëherë, pothuajse shumë transparent, dhe jam transparent për këtë edhe tani”.

“Të shohësh se transparenca u rrit në diçka kriminale, që unë absolutisht e mohoj, më bën të pyes nëse ka ndonjë tjetër alternativë”.

Akuzat përfshijnë një grua që pretendon se është sulmuar seksualisht nga Brandi gjatë një lidhjeje tremujore, kur ishte 16 vjeçe dhe ende në shkollë.

Një grua tjetër pretendon se Brandi e përdhunoi në shtëpinë e tij në Los Angeles, ndërsa një e tretë pretendon se Brandi e sulmoi seksualisht ndërsa ajo punonte me të në Los Angeles dhe kërcënoi se do të merrte veprime ligjore nëse i tregonte dikujt për akuzat.

Një grua e katërt pretendon se ajo u sulmua seksualisht nga Brandi dhe pretendon se ai ishte fizikisht dhe emocionalisht abuzues ndaj saj. /Telegrafi/