Ish-kryetarja e Prokurorisë për Krim të Organizuar, Vilma Ruskovska thotë se është mbyllur rasti për aksidentin tragjik me autobusin “Besa Trans” në Bullgari, ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Ruskovska për “TV21” thotë se rasti në Bullgari është mbyllur.
“Të gjitha materialet që kishim ua dorëzuam kolegëve tanë nga Bullgaria. Me sa kam informacione, rasti në Bullgari është i mbyllur, gjoja fajtor për aksidentin e tmerrshëm ka qenë shoferi”, tha Ruskovska.
Ajo tha se duhet të ketë përgjegjësi në mesin e institucioneve tona.
“Duke qenë se çështja është në kompetencë të Prokurorisë Publike, nuk kam informacion se ku është, por dikush duhet të mbajë përgjegjësi duke qenë se nuk kanë pasur licenca për qarkullim ndërkombëtar të pasagjerëve dhe jo vetëm nga kompania, por edhe nga doganierët dhe policët, sepse ata autobusë e kalonin kufirin shumë shpesh”, tha Ruskovska./TV21/