Kryetarja e Prokurorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska paralajmëroi hetim financiar për gjykatësit që e lëshuan Janevën në paraburgim shtëpiak.
“Vendimin për Janevën nuk e kemi marrë, por ne dhamë mendim negativ. Për këshillin që mori vendimin për paraburgim shtëpiak do të hapim hetim financiar. Me gjykatësit të tillë nuk ka vend në BE”, tha Ruskovska, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ndryshe, sot pasdite Janeva me fytyrë të mbuluar dhe me pranga në duar e shoqëruar me polici u bart nga burgi i Shuto Orizares në banesën e birit të saj, Lazar, ku do të vuajë paraburgimin shtëpiak.
Janeva nuk u përgjigj asnjë pyetje të gazetarëve se si është gjendja e saj shëndetësore dhe nëse ndjehet fajtore për rastin ‘Haraçi’.
Tre gjykatësit e Gjykatës së Apelit sot pranuan ankesën e Janevës duke ndërruar paraburgimin me arrest shtëpiak.
Janeva që nga 21 gushti ndodhet në burgun e Shutkës dhe akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve./Telegrafi/