Rusia thotë se forcat e armatosura të Sirisë e kanë rimarrë kontrollin ndaj qytetit të lashtë, Palmira, nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS).
Agjencitë ruse të lajmeve kanë raportuar se ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu, i ka thënë dje presidentit, Vladimir Putin, se forcat lojale ndaj presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, me ndihmën e forcave ruse, e kanë rimarrë kontrollin ndaj Palmirës.
Militantët e IS-it e okupuan këtë qytet antik në maj të vitit 2015 dhe pothuajse menjëherë kanë filluar t’i shkatërrojnë monumentet e lashta atje.
Në fund të muajit mars të vitit të kaluar, me mbështetjen e sulmeve ajrore të Rusisë, forcat e qeverisë së Sirisë e patën rimarrë kontrollin në këtë hapësirë.
Por, në dhjetor të vitit 2016, militantët e IS-it përsëri e okupuan Palmirën.
Shumica e monumenteve antike, shtatoreve dhe ndërtesave në Palmirë tash mendohet se janë shkatërruar nga militantët IS-it. /rel/