Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia ka pezulluar obligimet e saj që dalin nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi, që njihet me shkurtesën INF, vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendim të ngjashëm.
Putin është takuar sot me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe atë të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të diskutuar lidhur me vendimin e SHBA-së.
“Ne do të përgjigjemi ndaj këtij veprimi. Partnerët tanë amerikanë kanë njoftuar për pezullimin e pjesëmarrjes së tyre në këtë traktat, kështu që edhe ne do ta bëjmë të njëjtën gjë”, u shpreh Putin.
Putin e urdhëroi Lavrovin që të mos nisë asnjë bisedim të ri për INF-në me SHBA-në, duke thënë se Moska do të pres përgjigjen e Uashingtonit lidhur me propozimet paraprake të Rusisë për të shpëtuar këtë marrëveshje.
“Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë se partnerët tanë nuk po përkrahin iniciativat tona. E kundërta, ata vazhdimit kanë nxjerr pretekste për të dëmtuar sistemin global të sigurisë”, tha Putin.
Ndërkaq, Putin shtoi se Ministria e Mbrojtjes do të nisë zhvillimin e kapaciteteve të reja të raketave bërthamore, përfshirë edhe raketat supersonike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo një ditë më parë njoftoi se SHBA-ja do të pezullojë obligimet nga Traktati për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, nisur nga 2 shkurti. Ai tha se SHBA-ja do të tërhiqet nga ky traktat për gjashtë muaj.
Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.