Site icon Telegrafi

Rusia rrit presionin mbi punonjësit shtetërorë që të vaksinohen kundër COVID-19

Në fund të shtatorit, zyrtari komunal i Moskës, Sergei Martyanov u dërgoi disa mesazhe me shkrim vartësve të tij.

“Kolegë!!!… Çfarë është ky sabotim???”, shkruante Matryanov.

Ai ka shprehur shqetësim nga ngurrimi i dukshëm i stafit të tij për të dalë vullnetarë në provat të vaksinës kundër COVID-19 të Rusisë, Sputnik V e emëruar pas satelitit nga koha sovjetike që nxiti garën hapësinore.

Zyrtari që punon në departamentin e pronës së qytetit të Moskës, tha se shumë kuota për personelin e tij, që ishin paraparë të merrnin pjesë në testim, mbetën të paplotësuara.

Ai tha se kishte dëgjuar që disa punëtorë po regjistroheshin për të marrë vaksinat e gripit, duke i bërë ata të papërshtatshëm për provën e Coronavirusit.

“Kë po përpiqesh të mashtrosh???. Vaksina e Coronavirusit është përparësia absolute!!!”, Martyanov tha në mesazh.

Kushdo që kishte marrë vaksinën sezonale, tha ai, duhet të regjistrohet ende për vaksinimin për COVID-19, duke bërë që të ketë një muaj vonesë për ta marrë vaksinën.

Ai i bëri thirrje kolegëve të tij të rekrutonin miqtë dhe familjen që të merrnin pjesë në prova.

“Të paktën dy persona për punonjës!”, tha ai.

Martyanov, departamentit të tij dhe administrata e qytetit të Moskës nuk iu përgjigjën kërkesave për komente. Departamenti i shëndetit në Moskë tha se vaksina tashmë ka kaluar me sukses dy faza të provave klinike dhe ka treguar sigurinë e saj dhe vendimi për të marrë pjesë në provë merret nga banorët vetëm vullnetarisht dhe vetëm pas një ekzaminimi mjekësor.

Por, mesazhet të cilat i ka parë Reuters zbulojnë se si disa punonjës të shtetit rus po vihen nën presion të madh për t’u regjistruar për testimin e vaksinës, një përpjekje që njohësit e fushës së mjekësisë, thonë se mund të shkelë normat etike për pjesëmarrje vullnetare në teste të tilla.

Një burim i afërt me departamentin e Martyanovit, i tha Reuters se për të gjitha departamentet në administratën e qytetit të Moskës, ku janë të punësuar rreth 20 mijë njerëz, u caktua kuota për pjesëmarrjen në testime.

Lexo po ashtu Moska fillon vaksinimin masiv kundër COVID-19, me vaksinën për të cilën shkencëtarët kanë ngritur shqetësime

Testimi i vaksinave të Rusisë nisi në fillim të shtatorit dhe është në fazën e tij të fundit në 29 klinika në të gjithë Moskën. Rreth 20 mijë njerëz tashmë kanë marrë pjesë. Qeveria thotë se rezultatet paraprake tregojnë se vaksina është 92 për qind efektive. Vendi synon të prodhojë më shumë se një miliard doza brenda dhe jashtë vendit gjatë vitit të ardhshëm.

Edhe para se të përfundojnë provat, rusët tashmë po marrin vaksinën. Ilaçi mori miratimin zyrtar për përdorim autoritetet ruse në gusht. Rusia që është vendi i katërt në botë me numrin më të madh të rasteve me COVID-19 thotë se, deri më tani ka vaksinuar më shumë se 100 mijë njerëz, që janë konsideruar se janë në rrezik të lartë, siç janë personeli ushtarak, mjekët dhe mësuesit.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se vaksina “kaloi të gjitha kontrollet”.

Vetë Putini ende nuk është vaksinuar, megjithatë, “pozicioni i tij do të thotë se ai nuk mund të marrë diçka që është ende duke u testuar”, thotë Kremlini.

Në muajin gusht, Putin tha se një nga vajzat e tij ishte vaksinuar dhe më pas ishte mirë.

Në kryerjen e testimeve, Moska është ndihmuar nga punonjësit të sektorit publik rus të cilët paguhen nga qeveria. Mbi tre ditë në nëntor dhe gjashtë ditë në tetor, reporterët e Reuters vizituan 13 klinika dhe biseduan me 32 pjesëmarrës në testim. Tridhjetë nga 32 personat thanë se për programin e vaksinimit u ishte thënë në punë.

Nga 32, 23 persona thanë se ishin vullnetarë të mirëfilltë. Shumica kanë shprehur entuziazmin për pjesëmarrjen në testim.

Nëntë thanë se nuk ishin vullnetarë të vërtetë. Të nëntë ishin punonjës të sektorit publik që folën në kushte anonimiteti. Disa thanë se ndienin se nuk mund të refuzonin kërkesat e punëdhënësve të tyre që të vaksinoheshin. Disa thanë se arritën deri në klinikë dhe më pas thjesht refuzuan të merrnin pjesë. Askush nuk tha se ata ishin injektuar me vaksinën kundër vullnetit të tyre.

“Në përgjithësi, nëse njerëzit mendojnë se ka një kosto për ta nëse refuzojnë të marrin pjesë në një testim, kjo është detyrim, i cili nuk do të justifikohej në Shtetet e Bashkuara, Britanisë së Madhe ose vendet e tjera perëndimore”, tha për Reuters profesori i etikës i Universitetit të Oksfordit, Julian Savulescu.

Jonathan Ives nga Qendra e Etikës në Mjekësi të Universitetit Bristol, tha se ajo që llogaritet si detyruese mund të varet nga marrëdhënia midis atyre që janë përfshirë.

“Edhe nëse një punëdhënës ushtron presion shumë të lehtë te punonjësi për të marrë pjesë në një testim dhe ai punonjës mendon se puna ose mirëqenia e tij mund të jenë në rrezik nëse nuk i bashkohen këtij presioni, unë mendoj se kjo do të ishte detyruese, dhe unë do të shqetësohesha shumë për këtë”, tha Ives.

Fondi rus i Investimeve Direkte, i cili po mbështet zhvillimin e vaksinës dhe i cili është përgjegjës për marketingun e saj jashtë vendit, nuk pranoi të komentojë.

Aleksi Kuznetsov, një ndihmës në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili mbikëqyr Institutin Gamaleya ku po zhvillohet vaksina, tha që pjesëmarrja e vullnetarëve në provat klinike “është e mundur vetëm mbi baza vullnetare”.

Lexo po ashtu Numri i të vdekurve nga COVID-19 në Rusi po rritet, opozita thotë se numri i vërtetë po fshihet

Me vaksinën tashmë të aprovuar, disa zyrtarë kanë urdhëruar plotësisht stafin të marrë atë.

“Në klinikën tonë është lëshuar një urdhër i cili e bënë vaksinimin kundër COVID-19 të detyrueshëm. Kjo po mbikëqyret nga departamenti shëndetësor i Moskës”, njoftoi Olga Tsvetkova, zëvendësshefja në Klinikën Numër 3 të Moskës, në një mesazh për stafin në muajin tetor.

“Nëse refuzoni të vaksinoheni, mund të pezulloheni nga puna. Ekziston një bazë ligjore për këtë”, shkroi ajo në mesazhin WhatsApp të parë nga Reuters, pa dhënë hollësi.

Të pyetur për të komentuar, Klinika Numër 3 tha se Moska është një nga rajonet e pakta ku punonjësve të kujdesit shëndetësor u jepet mundësia të vaksinohen kundër Coronavirusit dhe urdhri për të vaksinuar punonjësit e klinikës tregon shkallën e kujdesit që duhet.

“Vendimi për vaksinimin merret nga punonjësit vullnetarisht dhe vetëm pasi të kalojnë një ekzaminim mjekësor”, thuhet në një deklaratë.

Departamenti i shëndetësisë i Moskës nuk e komentoi atë urdhër.

Komuniteti botëror ka vendosur norma për sigurimin e pjesëmarrjes etike në provat klinike. Sipas udhëzimeve në Deklaratën e Shoqatës Botërore të Mjekësisë të Helsinkit, e përdorur nga shumica e vendeve në mbarë botën, individët që marrin pjesë në prova klinike duhet të jenë të aftë të japin pëlqimin, të informohen për të gjitha aspektet e provës që janë të rëndësishme për ta dhe të marrin pjesë vullnetarisht.

Rusia ka miratuar të tjera udhëzime të rëna dakord ndërkombëtarisht, nga Këshilli Ndërkombëtar për Harmonizimin e Kërkesave Teknike për Farmaceutikë për Përdorim Njerëzor (ICH). Edhe te ky udhëzim gjithashtu thuhet se pjesëmarrja duhet të jetë vullnetare.

Lexo po ashtu Vaksina për COVID-19 po vjen, por po vijnë edhe dezinformatat rreth saj

Procesi përfshin nënshkrimin e një formulari të informimit të pëlqimit. Në Moskë, pjesëmarrësit nënshkruajnë një dokument të ngjashëm, me 16 faqe, i cili thotë se pjesëmarrja është vullnetare, pa pagesë dhe se, “është e pamundur të përjashtohet mundësia e zhvillimit të një efekti të padëshiruar dhe të papritur”.

Personeli në departamentin e Martyanovit, sikurse të tjerët që punojnë për institucionet që financohen nga buxheti i shtetit rus, njihen si “budzhetniki” ose “punëtorë shtetërorë”. Ata janë shpesh të përshkruar në Rusi si një mjet i besueshëm për Kremlinin kur i duhet një numër i madh njerëzish për të marrë pjesë në projekte të tilla, sikurse votimi në zgjedhje ose referendume.

Sociologu Denis Volkov, nëndrejtor i Levada Center, një organizatë e pavarur e hulumtimeve sociologjike, tha se shumë rusë me punë të financuara nga qeveria, ndihen të detyruar të ofrojnë atë që qeveria dëshiron si pjesë e një kontrate shoqërore midis tyre dhe shtetit.

Sipas vlerësimeve të fundit nga Shërbimi Federal i Statistikave të Shtetit, janë pothuajse 19 milionë “budzhetniki” që punojnë në shkolla ose spitale në Rusi. Kjo përbën 26 për qind të popullsisë së Rusisë në moshë pune, prej më pak se 72 milionë të banorëve. /REL/

Exit mobile version