Site icon Telegrafi

Rusia riaktivizon botet e saj, objektivi i ri janë zgjedhjet gjermane

Portali Politico ka publikuar pjesë të një raporti nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ku qeveria ruse akuzohet drejtpërdrejt për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet që do të mbahen në këtë vend më 23 shkurt.

Sipas Politico, duke iu referuar raportit ende të papublikuar të autoriteteve gjermane, operacioni i quajtur “Doppelgänger” (që në gjermanisht do të thotë “sozi” ose “dyshe”) përfshin një numër të madh “botësh” në rrjetet sociale, të cilët synojnë të ndikojnë votuesit në Gjermani.

Përveç botëve në rrjetet sociale, në operacion janë përfshirë edhe një numër i madh portalesh në internet, me përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, të cilat synojnë promovimin e mesazheve pro-ruse në hapësirën publike gjermane.

Natyrisht, sipas raportit të Ministrisë së Jashtme gjermane, mesazhet e mbështetura nga këto botë dhe portale lidhen kryesisht me partinë e ekstremit të djathtë AfD, që shpesh përputhet me qëndrimet e presidentit rus, Vladimir Putin dhe kabinetit të tij.

Operacioni “Doppelgänger” është aktiv prej vitesh dhe është monitoruar nga shërbimet e inteligjencës së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Sipas raporteve të mëparshme, ai aktivizohet sa herë që mbahen zgjedhje në Evropë ose SHBA dhe ndjek të njëjtin model veprimi.

Ndikimi i Rusisë, kujtojmë, çoi në anulimin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, kur kandidati pro-rus Calin Georgescu mori 23 për qind të votave, me ndihmën e një fushate masive dezinformimi në rrjetet sociale dhe një financimi prej një milion eurosh nga burime ruse.

Sulme të ngjashme kanë raportuar edhe qeveritë e Republikës Çeke dhe Belgjikës, ku përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor të vitit të kaluar u vërejt një numër i madh portalesh të dyshimta, të cilat shpërndanin lajme të rreme. /Telegrafi/

Exit mobile version