Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha dje se Rusia po përpiqet ta “mbrojë Iranin” nga inspektimet e organizatës atomike të Kombeve të Bashkuara për disa aktivitete, që mund të kontribuojnë për zhvillimin e bombës atomike.
Derisa ambasadorja Haley ka kërkuar që Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), t’i zgjeroj inspektimet e veta në Iran, diplomatët rusë në OKB janë përpjekur ta zvogëlojnë rolin e kësaj agjencie, duke argumentuar se nuk ka autoritet për kontroll në seksionin kritik, i njohur si seksioni T, që i ndalon “aktivitetet që mund të kontribuojnë për zhvillimin e pajisjes atomike eksploduese”.
Sikur në shumë pjesë të tjera të marrëveshjes, në seksionin T nuk përmendet Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe nuk specifikohet se si bashkëpunimi me këtë kapitull do të verifikohej. /REL/