Site icon Telegrafi

Rusia përmes tregtarit të leshit, i afërt me strukturat e sigurisë bllokon aplikacionin ‘Votimi i Zgjuar’ të Alexei Navalnyt

Kompania ruse “Stavropol Voulintrade” që merret me tregtimin e leshit të deleve ka patentuar frazën “Votimi i Zgjuar”, e cila lidhet me aplikacionin e opozitarit rus, Alexei Navalny.

Kjo kompani është themeluar nga nënkoloneli i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë, Ashur Ashurov edhe pse merret me biznes, ende punon për strukturat e sigurisë.

Gazetarët e BBC në gjuhën ruse gjatë kërkimeve për Ashurov dhe kompaninë e tij, përmes kërkimit me GetContact kishin arritur të zbulonin se në shumicën e rasteve numri i telefonit të Ashurov nga përdoruesit tjerë ishte shënuar me shkurtesën “УБЭП”, që është shkurtesë për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.

Pas patentimit të frazës, Gjykata e Arbitrazhit në Moskë ka kërkuar nga Google dhe platformës ruse të kërkimit në internet Yandez, që të ndalojnë shfaqjen e rezultateve për “Votimi i Zgjuar” në platformat e tyre të kërkimit. Gjykata thotë se kjo kërkesë është bërë pas kërkesës së kompanisë “Stavropol Voulintrade”.

Vlen të ceket se e gjithë kjo po ndodhë dy javë para zgjedhjeve parlamentare për Dumën ruse, çka lenë të kuptohet se Putin është duke u frikësuar për rezultatin e zgjedhjeve, andaj po mundohet që në çdo mënyrë ta dobësoj opozitën ruse.

Si duket një faqe sensibilizuese e “Votimi i Zgjuar”

Para kërkesës së Gjykatës së Arbitrazhit për ndaljen e kërkimit të frazës “Votimi i Zgjuar”, në fillim të shtatorit, Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen e Komunikimeve, Teknologjisë së Informacionit dhe Masmedia i njohur si “Roskomnadzor”, kishte kërkuar nga Apple dhe Google që të hiqnin aplikacionin e Navalnit, duke konsideruar se mos heqja do të konsiderohej ndërhyrje në zgjedhjet ruse dhe do të sanksionohet.

Pasi që Rusia ka lejuar votimin shumë ditorë dhe atë online, ekipi i opozitarit të arrestuar rus, kishin krijuar aplikacionin “Votimi i Zgjuar”, i cili kishte funksionuar dhe kishte pasur sukses gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, të cilat ishin mbajtura gjatë kohës sa Navalny ishte duke u trajtuar në spital, nga helmimi me helmin ushtarak Novichok.

Përmes këtij aplikacioni votuesit rusë ishin sensibilizuar që të votonin kandidatët që nuk janë pjesë e partisë së Putinit, “Rusia e Bashkuar”. /Telegrafi/

Exit mobile version