Një avion luftarak rus iu afrua një avioni të Marinës amerikane mbi Detin Mesdhe të dielën, të dy qeveritë e konfirmuan, ndërsa ofruan shpjegime të ndryshme ndaj incidentit.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, Flota e 6-të e Forcave Detare të SHBA-së, Evropë-Afrikë, tha në një deklaratë të dielën se avioni rus, një aeroplan SU-35, “fluturoi në mënyrë joprofesionale”, ndërsa përgjonte Patrullën Detare të SHBA-së. Marina amerikane tha se kjo ishte hera e dytë në katër ditë që pilotët rusë bënin këto manovra ndërsa përgjonin avionët amerikanë.
“Veprimet e panevojshme të pilotit rus SU-35 ishin në kundërshtim me rregullat ajrore dhe rregullat ndërkombëtare të fluturimit, duke rrezikuar sigurinë e të dy avionëve”, tha Marina e SHBA-së.
“Ndërsa avioni rus operonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare, ky ndërveprim ishte i papërgjegjshëm. Ne presim që ata të sillen brenda standardeve ndërkombëtare të përcaktuara, për të ofruar siguri dhe për të parandaluar incidente”, kanë thënë ndër tjerash.
Lidhur me këtë rast ushtria ruse ka thënë të hënën se avioni i tyre u ngrit nga baza ajrore “Hmeimim e Sirisë”, për të identidikuar një objektiv në objektet ushtarake ruse në Siri.
“Piloti i avionit pasi u afrua identifikoi numrin e avionëve që i përkisnin Marinës amerikane”, u tha në një deklaratë, duke shtuar se avionët e Marinës amerikane më pas ndryshuan praktikën e fluturimit larg nga një objekt ushtarak rus. /Telegrafi/