Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Driton Kuka, nuk e ka fshehur zhgënjimin për padrejtësinë e radhës ndaj sportit kosovar. “Për fat të keq edhe në këtë Kampionat Botëror do të shkojmë të hendikepuar, pasi Akili dhe Distria nuk kanë pasur mundësi të pajisen me viza. Ndërkaq, Majlinda dhe Nora i kanë edhe pasaportat shqiptare, sepse po të mos ishte kështu, ne do të mbeteshim pa pjesëmarrës në këtë garë”, ka thënë Kuka.
Ai ka bërë të ditur se për këtë rast është informuar edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos, por deri tani nuk është kthyer ndonjë përgjigje. “Deri tani nuk ka asnjë reagim nga IJF. Ky është një dëm i madh për ne, sepse me Akilin dhe Distrinë në garë do të ishim shumë më konkurrues dhe me gjasë edhe më të mëdha për medalje. Është mëkat për këta xhudistë që për shkak të politikës të mos marrin pjesë në një kampionat bote”, ka shtuar përzgjedhësi Kuka. /Tribuna/Telegrafi/