Site icon Telegrafi

Rusia liron amerikanin e burgosur në atë që SHBA e quan hap drejt fundit të luftës në Ukrainë

Donald Trump ka mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë mësuesin e shkollës amerikane, Marc Fogel, pasi ai u lirua nga burgu në Rusi, me presidentin amerikan që tha se Vladimir Putin nuk kishte marrë “shumë” në këmbim.

Trump tha se një tjetër i arrestuar do të lirohet të mërkurën pa dhënë emrin e tij, transmeton Telegrafi.

Fogel, një ish-diplomat 63-vjeçar, zbarkoi në bazën Andrews jashtë Uashington DC të martën vonë në mbrëmje, përpara se të udhëtonte për në Shtëpinë e Bardhë.

Lirimi i tij u negociua si pjesë e një shkëmbimi me Rusinë, tha më herët Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA, Mike Waltz.

Rusia nuk komentoi menjëherë lirimin. E Trump, duke qëndruar përkrah Fogel në Shtëpinë e Bardhë, tha: “Për mua ai duket mirë”.

Ai u tha gazetarëve se lirimi ishte një “shfaqje e mirëbesimit” nga rusët dhe se “mund të jetë një pjesë e madhe e rëndësishme” e përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ne u trajtuam shumë mirë nga Rusia. Në fakt, shpresoj se ky është fillimi i një marrëdhënieje ku ne mund t’i japim fund asaj lufte dhe miliona njerëz mund të ndalojnë duke u vrarë”, tha ai.

Qindra mijëra njerëz, shumica prej tyre ushtarë, besohet se janë vrarë që kur Rusia pushtoi Ukrainën gati tre vjet më parë.

Duke e përshkruar marrëveshjen e të burgosurve me Rusinë si “shumë të drejtë, shumë të arsyeshme”, Trump tha se “dikush tjetër do të lirohet nesër”.

“Ndihem si njeriu më me fat në Tokë tani. Unë jam një mësues i klasës së mesme që tani është në një botë ëndrrash”, tha zoti Fogel.

Motra e Fogel, Anne Fogel, i tha më herët BBC se vëllai i saj, i cili u arrestua në Rusi në vitin 2021, u zhvendos të mërkurën e kaluar nga një burg në Rybinsk.

Ajo tha se familja e dinte se lirimi i tij ishte një mundësi, por gjithashtu se negociatat ishin “shumë të dobëta”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version