Telegrafi

Rusia kundër ndërhyrjes së perëndimit në Maqedoni

Deklaratat e intensifikuara të diplomatëve rus kundër ndërhyrjes së perëndimit në Maqedoni, sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare vijnë për shkak të interesave gjeopolitike dhe ekonomike që ka Moska për vendin por edhe për shkak të mbështetjes nga e djathta në krye me OBRM-PDUKM-në. Kështu ish ambasadori Nano Ruzhin për Alsat-M e komenton edhe apelin e fundit të ambasadorit rus në OSBE, Aleksandar Lukasheviq, i cili tha se të huajt duhet t’i respektojnë të drejtat e maqedonasve që vetë të vendosin për fatin e tyre në bazë të parimeve demokratike.

“Këtë e pamë edhe nga deklaratat pro-ruse të turmave të njerëzve të VMRO-së. Pamë se cila ishte sjellja dhe pritja që i bënë krerët e VMRO-DPMNE-së gjatë vizitës, ambasadorit rus në Shkup, ndërsa kjo nuk ishte ashtu edhe me ambasadorin e BE-së dhe të SHBA-së. Me fjalë tjera, ka një numër të madh të parametrave që tregojnë se Rusia sërish të kthehet në mënyrë më të sofistikuar në Ballkan”, deklaroi profesori universitar Nano Ruzhin.

Siç transmeton Agjencia ruse “Sputnik”, Lukasheviq u bën thirrje të gjitha partive politike si dhe ndërmjetësuesve të BE-së dhe SHBA-së të bëjnë përpjekje që kriza politike në Maqedoni ta zgjidhet përmes dialogut.