Rusia ka lëshuar një reagim të ashpër ndaj kërcënimit të raketave të bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Ministria e jashtme e Rusisë ka reaguar ndaj mesazhit të fundit të presidentit amerikan në të cilin ai paralajmëroi Sirinë dhe Rusinë të përgatiten për një sulm raketash.
Madje, siç është thënë më tej, Rusia ka thënë se janë të përgatitur për të shuar raketat e SHBA të nisura në Siri.
Reagimet e Rusisë kanë ardhur pasi presidenti Trump shkroi: “Bëhu gati Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe të zgjuara”, duke aluduar në raketat.
“Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë të vrasjes me gaz që vret popullin e tij dhe i gëzohet kësaj”, ka shkruar tutje Trump.
Dhe sipas mediave, tensionet kanë arritur lartësi të reja pas një sulmi kimik ndaj civilëve në Douma – diçka që Rusia dhe Siria i kanë quajtur “lajme të rreme”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha: “Raketat e zgjuara duhet të fluturojnë drejt terroristëve, jo qeverisë së ligjshme të Sirisë, e cila ka kaluar disa vite duke luftuar kundër terrorizmit ndërkombëtar në territorin e saj”.
Sipas saj, një sulm i mundshëm i raketave amerikane mund të ishte një përpjekje për të shkatërruar prova të një sulmi të dyshuar të armëve kimike në qytetin sirian të Doumës.
Ndërkohë, siç shkruan DailyStar, duke cituar burime brenda Kremlinit, mundësia e luftës me SHBA-të llogaritet deri në “80 për qind i mundshëm”. /Telegrafi/