Mediat amerikane po raportojnë se Rusia e ka futur në funksion një sistem raketor që SHBA vlerëson se shkel një traktat të kontrollimit të armëve.
Associated Press dhe The New York Times ka thënë se Moska në mënyrë sekrete e ka vendosur sistemin që lanson raketa nga toka duke e shkelur Traktatin e nënshkruar më 1987 në Rusinë jugperëndimore.
The New York Times shkruan se Rusia ka dy batalione të këtij sistemi, që është bërë funksional në fundin e vitit të kaluar.
Administrata e Barack Obamës më parë e ka akuzuar Rusinë se ka shkelur traktatin në fjalë, duke testuar raketa. Traktati ndalon raketa balistike që arrijnë caqe nga 500 deri në 5500 kilometra.
Por, presidenti rus, Vladimir Putin e ka mbrojtur sistemin raketor duke thënë se SHBA gjithashtu e ka shkelur traktatin dhe se raketat e reja janë të nevojshme për mirëmbajtjen e balancit të fuqisë, raporton Evropa e Lirë.
Dyshimi mbi shkeljen e traktatit mund të diskutohet kur Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis merr pjesë për herë të parë në një takim të NATO-s, që është paraparë të mbahet sot në Bruksel.
Vendosja e këtij sistemi të ri raketor ka nxitur shqetësime në Kongresin amerikan, ku udhëheqësi i Komisionit të Senatit për Shërbime të Armatosura, John McCain, e ka quajtur “kërcënim i madh ushtarak ndaj forcave amerikane në Evropë dhe për aleatët tanë të NATO-s”.
McCain ka thënë se koha e vendosjes së këtij sistemi tregon se Putini “po e teston” presidentin, Donald Trump.