Lideri kryesor i opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili ndodhet në burg tash e një vit, është përfshirë në listën e “terroristëve dhe ekstremistëve” të udhëhequr nga shërbimi federal rus i monitorimit financiar.
Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Navalnyt, Ljubov Sobolj, e cila tani është jashtë vendit për shkak se ishte e persekutuar në Rusi, ishte gjithashtu në atë listë, sipas agjencisë, e cila kishte qasje në listë.
Sipas Fondit Kundër Korrupsionit, përveç organizatës Navalny të ndaluar në qershor, listës i janë shtuar të paktën nëntë persona të lidhur me lëvizjen opozitare, raporton euronews. Vendimi është pjesë e masave të represionit kundër opozitës dhe zërave kritikë në Rusi.
Lista e Rosfinmonitoring përfshin mijëra individë dhe qindra organizata politike, islamike, fetare dhe ultranacionaliste të ndaluara në Rusi. Lista përfshin, për shembull, Talebanët dhe Shtetin Islamik.
Në mes të janarit, listës iu shtuan edhe dy bashkëpunëtorët kryesorë të Navalnyt, Ivan Zhdanov dhe Leonid Volkov, të cilët jetojnë jashtë vendit.
Navalny u arrestua më 17 janar të vitit 2021 në aeroportin e Moskës pasi u kthye nga shërimi në Gjermani pas helmimit të rëndë në Siberi në gusht të vitit të kaluar, për të cilin ai tha se presidenti rus Vladimir Putin ishte përgjegjës.
Pas kësaj, Navalny u dënua me dy vjet e gjysmë burg për rastin e “përvetësimit”, të cilin e cilësoi si akt politik. /Telegrafi/