Site icon Telegrafi

Rusia e shpall të zhdukur informatorin e dyshuar të CIA-s

Ministria e Brendshme e Rusisë tha se një ish-zyrtar i Kremlinit, i cili në disa raporte të mediave është cilësuar si informator i CIA-s, është shpallur zyrtarisht i zhdukur.

Ministria tha të hënën se Oleg Smolenkov, i lindur në vitin 1969, është futur në listën e të zhdukurve dhe se hetimet për gjetjen e tij kanë nisur.

Javë më parë, mediat si: Reuters, CNN, New York Times dhe Washington Post, kanë raportuar se një informator i CIA-s në Qeverinë ruse është nxjerrë nga Rusia dhe është dërguar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017.

Ato nuk e kanë identifikuar atë, por kanë thënë se shtetasi rus i ka siguruar inteligjencës amerikane informacione nga rrethi i brendshëm i presidentit rus, Vladimir Putin.

CIA, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë i kanë cilësuar raportet si të pasakta.

Gazeta ruse Kommersant e ka identifikuar më pas informatorin e supozuar si Oleg Smolenkov.

Regjistrimet publike nga administrata e Qeverisë ruse më 2008 dhe 2010 tregojnë se një person me emrin Oleg Smolenkov ka qenë i punësuar në administratën e Putinit, i cili atëbotë ka shërbyer si kryeministër i Rusisë.

Smolenkov po ashtu thuhet se ka punuar si sekretar i dytë në Ambasadën e Rusisë në Uashington.

Sipas raporteve të mediave ruse, Smolenkov është zhdukur me gruan e tij, Antonina, dhe tre fëmijë, derisa ka qenë me pushime në Mal të Zi, në qershor të vitit 2017. /Rel/

 

Exit mobile version